Policia jep detaje për grabitjen, i arrestuari është 19 vjeçar

Kronikë e zezë

Policia jep detaje për grabitjen, i arrestuari është 19 vjeçar

Më: 11 mars 2021 Në ora: 19:27
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një institucion mikrofinanciar është grabitur afër selisë së AAK-së në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka theksuar se rreth orës 17:40, është raportuar për një grabitje të armatosur të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ në Prishtinë.

“Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si  dhe kanë realizuar  një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit”, ka theksuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci ka theksuar se ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë, si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes.

“Arrestimi i  të dyshuarit: F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë  i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej ti shmangej ndjekjes së policisë”, theksoi Borovci.

Ai ka thënë se ndërkohë që pasi policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj; një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura.

“Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale”, theksoi tutje Borovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat