​Grabitje e armatosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, arrestohet një 19-vjeçar

Kronikë e zezë

​Grabitje e armatosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, arrestohet një 19-vjeçar

Më: 11 mars 2021 Në ora: 19:28
Pamje nga aksioni

Rreth orës 17:40 është raportuar për një grabitje të armatosur në një institucion mikro-financiar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ në Prishtinë dhe një person i moshës 19-vjeçare është kapur nga Policia e Kosovës jo shumë kohë pas këtij rasti.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë rajonale për Prishtinë Flora Ahmeti, sipas së cilës policia ka sekuestruar tek i dyshuari një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura.

“Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes. Arrestimi i të dyshuarit F. R, mashkull, 19-vjeç, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen “Dardania” të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej t’i shmangej ndjekjes së policisë”, ka thënë Ahmeti.

“Ndërkohë policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestrojë një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura”, ka shtuar ajo.

Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat