Qeni “pitbull” kafshon një person, dënohet me 500 euro gjobë pronari i qenit

Kronikë e zezë

Qeni “pitbull” kafshon një person, dënohet me 500 euro gjobë pronari i qenit

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 21:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin E.K., pasi qeni i tij “pitbull” e kishte kafshuar në këmbë të dëmtuarin I.M. 

Sipas aktgjykimit të shpallur më 9 qershor 2021 dhe të përpiluar më 23 qershor 2021 nga gjykatësi Rilind Sermaxhaj, i akuzuari E.K. gjithashtu është obliguar që të paguajë paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, i dëmtuari I.M., për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.Prokuroria Themelore në Gjilan, në shkurt të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj E.K., duke e ngarkuar atë me veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.

Siç thuhet në aktakuzë, më 9 shkurt 2021, në rrugën “Abdullah Presheva” në Gjilan afër shtëpisë së të akuzuarit E.K., deri sa i dëmtuari I.M. së bashku me shokun e tij A.I., ishin duke kaluar rrugës në pronë publike, të njëjtit sulmohen nga qeni i llojit “pitbull”, pronë e të akuzuarit, i cili e kafshon të dëmtuarin në këmbën e majtë të tij, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime të lehta trupore dhe i cili për shkak të lëndimeve të pësuara detyrohet të kërkojë ndihmë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat