Pushohen akuzat për katër njerëzit e kapur për vrasjen e Hekuran Billës, dosja pa autor

Kronikë e zezë

Pushohen akuzat për katër njerëzit e kapur për vrasjen e Hekuran Billës, dosja pa autor

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 21:40
Ilustrim

Vrasja e Hekuran Billës, në 11 qershor 2020 në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, për prokurorinë e kryeqytetit nuk ka asnjë autor. Prokurori i çështjes Petrit Hysi, ka vendosur të pushojë akuzat e vrasjes së Hekuran Billës, për personat e arrestuar, Viktor Marku, nipit të tij Sebastian Mali dhe të dashurës së këtij të fundit, Adiola Lakrën si dhe Gjekson Pusin.

Konkluzioni i prokurorit Hysi për pushimin e akuzave ndaj katër personave të arrestuar erdhi pas më shumë se një vit hetime, të kryer për këtë ngjarje të rëndë që tronditi Tiranën. Prokurori Hysi, thotë se nuk ka prova të mjaftueshme që të vërtetojnë implikimin e tre personave të proceduar në vrasjen e Hekuran Billës.

Për pasojë prokurori ka proceduar me dorëzimin e një kërkese penale në gjykatën e Tiranës, duke i kërkuar trupit gjykues që të pushojë veprat penale tre personave të arrestuar. Së bashku me pushimin e akuzave, prokurori Petrit Hysi, kërkon dhe lirimin e menjëhershëm nga burgu të Viktor Markut, Sebastian Malit dhe Adiola Lakrës. Kjo e fundit ka lënë pak kohë më parë ambientet e qelisë dhe se aktualisht vijon të qëndrojë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. 

Kundër pretendimeve të prokurorit Petrit Hysi, ka shfaqur mendim me shkrim, drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ku argumentat kundër të saj pritet të shyrtohen nga gjyqtari paraprak i kësaj dosje penale. Dështimi i kësaj dosje, bën që ekzekutimi mafioz i Hekuran Billës në datën 11 qershor 2020 të mbetet pa autor.

Ndërsa me lirimin e plotë të tre personave, sigurisht do sillte pezullimin e kësaj dosje për shkak të mungesës së autorit të krimit. Viktima Hekuran Billa, kishte vetëm pak kohë që ishte liruar me kusht nga burgu i Fushë-Krujës pas një vendimi të dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, tashmë e arrestuar për korrupsion nga SPAK. Vrasja e tij erdhi pas një skenari mafioz të mirëorganizuar, ku Billa është qëlluar me breshëri nga një distancë shumë e afërt, duke e lënë të vdekur në vend në foristradën tip “Benz-Mercedez”.

Vrasja e tij sipas policisë ndodhi për shkak të hakmarrjes, pasi Billa në vitin 2006 në Angli ka vrarë vëllanë, e Viktor Markut, Prel Markun. Hekuran Billa, qëlloi Prel Markun, 22 vjeç, në kokë në një klub natë në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006. Billa u shpall fajtor për tre akuza për vrasje në tentativë dhe vrasje të Prel Markut, dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një mandat minimal të rekomanduar prej 34 vjet. 

Ky vendim u njoh nga gjykatat Shqiptare, të cilat vendosën ta dënojnë Billën e deportuar në Shqipëri me 25 vite burgim. Një pjesë të dënimit Billa e vuajti në burgun e Fushë-Krujës, ku më pas mundi të përfitojë lirinë me kusht pas një vendimi të firmosur nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Pas daljes nga burgu Billa lëvizte lirshëm, çka solli dhe nisjen e planeve të kundërshtarëve të tij për ta ekzekutuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat