14 mijë euro gjobë tre personave për kontrabandim me mallra dhe dhënie ryshfeti

Kronikë e zezë

14 mijë euro gjobë tre personave për kontrabandim me mallra dhe dhënie ryshfeti

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Tre persona janë dënuar me 14 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Ferizaj nën akuzat për kontrabandë të mallrave dhe dhënie të ryshfetit.

I pandehuri i parë L.S. u dënua me 10.000 euro gjobë, F.R. 500 euro gjobë dhe dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre muaj, i cili i zëvendësohet me gjobë prej 1.500 euro. Ndërsa i pandehuri i tretë A.M. është gjobitur po ashtu me 500 euro dhe tre muaj burg, i cili dënim i zëvendësohet me dënim gjobe prej 1.500 euro.

L.S. akuzohet se nga tetori 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, ka shmangur kontrollin doganor, ku me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganorë, në veturë i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1.385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depo-garazhit të tij, gjenden dhe sekuestrohen edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikujve, gjithsej 16.290 pako në vlerë 80.061,06 euro.

Po i njëjti më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron 70 euro ryshfet një zyrtari doganor, për çka edhe ishin marrë vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim të shmangies së kontrollit doganor.

I pandehuri F.R. akuzohet se më 19.03.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, i ka dhënë 20 euro ryshfet një zyrtari doganor, me qëllim të shmangies së kontrollit të mallrave që kishte sjellë nga Maqedonia Veriore në Kosovë.

Ndërsa, A.M. akuzohet se më 21.03.2021, në Ferizaj, ka dhënë 50 euro ryshfet një zyrtari, për mundësimin e futjes së mallrave nga Maqedonia Veriore në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat