Kontrabandonin farmerka, kërpudha, gazeta serbe dhe të tjera – arrestohen dy shtetas serbë

Kronikë e zezë

Kontrabandonin farmerka, kërpudha, gazeta serbe dhe të tjera – arrestohen dy shtetas serbë

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 18:31
Foto ilustrim

Policia, në komunën e Leposaviqit, ka arrestuar dy shtetas të Serbisë të cilët dyshohet se përmes rrugëve ilegale kanë kontrabanduar mallra të ndryshme nga Serbia në Kosovë.

Njësitë policore kufitare nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu” në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, rreth orës 05:30, kanë ndaluar dy automjete të cilat drejtoheshin nga dy vozitës që ishin shtetas të Serbisë.

Të njëjtit dyshohet se përmes rrugëve ilegale me automjete kishin hyrë në territorin e Kosovës nga territori i Serbisë duke kontrabanduar mallra të ndryshme.

Në njërin nga automjetet kishte të ngarkuar produkte të qumështit dhe të miellit, ndërsa në automjetin tjetër kishte farmerka, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë.

Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”Kontrabandim me mall”.

Malli dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, ndërsa me vendim të prokurorit dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat