​Aksion policor në “Call Center”-a, 14 të arrestuar

Kronikë e zezë

​Aksion policor në “Call Center”-a, 14 të arrestuar

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 21:37
Ilustrim

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, respektivisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka zhvilluar një aksion policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si “Call Center” në disa lagje të Prishtinës.

Policia e Kosovës, ka zbatuar autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe urdhëresën e Gjykatës, që kanë të bëjnë me identifikimin e disa personave të dyshuar, arrestimin e tyre dhe marrjen në pyetje, kontrollin e lokacioneve të personave të dyshuar dhe sekuestrimin e provave.

Po ashtu, Prokuroria Speciale njofton se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me Autoritetet Gjermane.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimin e faqeve në internet.

Të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësive të ndryshme policore si patrulla policore, Njësitë e Krimteknikës, Njësia K-9.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 14 persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj.

Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjeshme si: Dy vetura; 167 kompjuter desktop; 3 kompjuter laptop; 21 telefona mobil; 2 DVR; 2 HDD; 2 USB memorie; Dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar dërgohen në mbajtje prej 48 orësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat