E trishtë: Sulmohet seksualisht në pyll 11-vjeçarja nga Drenasi, i dyshuari e prek dhe e puth me zor

Kronikë e zezë

E trishtë: Sulmohet seksualisht në pyll 11-vjeçarja nga Drenasi, i dyshuari e prek dhe e puth me zor

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet. Jo rrallëherë ndodhë që viktimat të jenë edhe vajzat e mitura.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në Drenas, Policia Rajonale ka arrestuar një person, i cili u denoncua nga një vajzë 11-vjeçare për sulm seksual. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari e ka puthur e ledhatuar me zor vajzën, duke i shkaktuar shqetësim të madh.

Kjo ngjarje e trishtë dyshohet se ka ndodhur në një pyll, në orët e mbrëmjes, me ç’rast vajza e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për atë që kishte ndodhur. Si rezultat i raportimit të rastit, e mitura është dërguar në QKUK për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Policia është vënë në veprim.

Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet. Me t’u përfunduar procedurat policore, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për veprën penale “Sulm seksual”. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vjet.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat