Policia jep detaje për rastin, ku një person vdiq pasi ra me veturë në lumin Ibër

Kronikë e zezë

Policia jep detaje për rastin, ku një person vdiq pasi ra me veturë në lumin Ibër

Më: 3 janar 2023 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:20 në magjistralen Zveçan-Leposaviq, ku një person ka humbur jetën pasi me veturën e tij ka rënë në lumin Ibër.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se personi është i kombësisë serbe me inicialet A.V i vitit të lindjes 1995.

“Aksidenti ka ndodh në orën 22:20 në magjistralen Zveçan-Leposaviq. Personi që ka ndërruar jetë është A. V. 1995, i nacionalitetit serb. Një veturë e përfshirë, ka dal nga rruga dhe ka rënë në lumin Ibër”, ka thënë Hoti.

Po ashtu në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se i njëjti dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike-mjegullës, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumin Ibër.

“Leposaviq 02.01.2023-22:15. Në rrugën nacionale Leposaviq-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilën është përfshirë një veturë, e cila derisa ishte në lëvizje (drejtuesi i panjohur) dyshohet për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike-mjegullës, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumin Ibër”, thuhet në raportin policor.

Në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, në kërkim të drejtuesit dhe veturës të cilët gjatë natës nuk kanë arritur ta gjejnë.

Kërkimi ka vazhduar në orët e hershme të mëngjesit, ku është gjetur dhe nxjerrë automjeti së bashku me vozitësin i cili ishte pa shenja jete.

“Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori kompetent për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, thuhet tutje në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat