'U zunë gjatë lojës me letra', 62-vjeçari godet me sëpatë bashkëfshatarin

Kronikë e zezë

'U zunë gjatë lojës me letra', 62-vjeçari godet me sëpatë bashkëfshatarin

Më: 12 janar 2023 Në ora: 17:53
Ilustrim

Një 62-vjeçar që goditi me sëpatë një të moshuar në Devoll është vënë në pranga. Bëhet e ditur se 73-vjeçari, Vasil Begolli banues në fshatin Menkulas, fillimisht ka deklaruar në polici se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij. Por pas hetimeve rezultoi se i moshuari është goditur në kokë me sëpatë nga 62-vjeçari i vënë në pranga.

Begolli u transportua në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar. Autori i plagosjes akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. 

Ervis Begolli, pronari i një lokali në fshat, tregon për A2 CNN sesi i gjithë sherri nisi teksa autori dhe i plagosuri po luanin me letra në lokalin e tij.

“Kanë filluar debatin me njëri-tjetrin për lojën me letra. Kemi ndërhyrë fillimisht për t’i qetësuar dhe të dy kanë vazhduar lojën. Pas 30 minutash filluan debatin sërish duke u goditur dhe shtyrë me njëri-tjetrin. Sërish ndërhymë duke i ndarë. Sot morëm vesh që konflikti ka vijuar në banesën e të plagosurit dhe na ka ardhur shumë keq. Të dy kishin pirë disa gota dhe ishin të dehur”, thotë ai për A2 CNN.

Banorë të tjerë të fshatit thonë se autori dhe i plagosuri nuk kanë pasur konflikte më parë dhe konfirmojnë se janë zënë për lojën me letra pasi kanë qenë edhe në gjendje të dehur.

Por burime nga policia thanë se shkak I konfliktit ka qenë një borxh prej 600 eurosh që djali i të dëmtuarit i kishte autorit dhe nuk po ia kthente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat