Shtatë të lënduar në një aksident të rëndë në Rahovec

Kronikë e zezë

Shtatë të lënduar në një aksident të rëndë në Rahovec

Më: 5 mars 2023 Në ora: 06:56
Foto ilustrim

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në rrugën ‘Minatori’ në Rahovec, ku janë përfshirë dy vetura.

Mësohet se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së kushteve të rrugës me shpejtësinë e lëvizjes, me ç’rast shoferi 39-vjeçar në dalje të Rahovecit ka humbur kontrollin mbi timon dhe ka goditur automjetin që kishte përparësi kalimi.

Shtatë të lënduarit, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë, janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjakovës, teksa dy prej tyre, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat