​Ndalohet një person për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Kronikë e zezë

​Ndalohet një person për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Më: 13 mars 2023 Në ora: 18:48
Foto ilustrim

Një person është ndaluar për 48-orë në Gjilan për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Siç ka informuar policia, A.K dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të lëshuar kinse nga Ministria e Forcës së Sigurisë (Ministria e Mbrojtjes).

Me dokumentin në fjalë i dyshuari ka aplikuar në një tender publik në vitin 2021, në komunën e Gjilanit dhe e ka fituar të njëjtin.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, kanë kryer veprime hetimore/operative për disa muaj dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se; i dyshuari me iniciale (A.K.) me rastin e ofertimit në tenderin ’’Furnizim me material për zyre’’ në Komunën e Gjilanit, kishte falsifikuar dhe dorëzuar referencën të lëshuar më herët në vitin 2021. Me këto referenca ai kishte implikuar Ministrinë e Forcës së sigurisë kinse kishte lëshuar ketë referencë për kompaninë e tij. Me këto referenca i dyshuari kishte aplikuar në Komunën e Gjilanit në tenderin e lartshënuar duke fituar dhe firmosur kontratën me komunën e Gjilanit në vlerën njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë euro (155,000€)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurimin publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Andaj, sot më datë 13.03.2023, i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij dhe pas intervistimit ndaj të dyshuarit nga Prokurori i shtetit është lëshuar Aktvendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat