Rrezik në Malishevë: Hajnat e armatosur shkëmbejnë zjarr me Policinë, arrijnë të arratisen

Kronikë e zezë

Rrezik në Malishevë: Hajnat e armatosur shkëmbejnë zjarr me Policinë, arrijnë të arratisen

Më: 4 maj 2023 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.

E gjatë intervenimeve të Policisë në vendngjarje, shumë shpesh ata përballen me rrezikun që u kanoset nga të dyshuarit, të cilët në shumë raste janë të armatosur.

Media mëson se kështu ka ndodhur edhe mbrëmjen e së martës në fshatin Mirushë të Malishevës, ku tre persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë shkëmbyer zjarr me zyrtarët policorë që kishin shkuar të intervenojnë në një rast të vjedhjes.

Pas ekzaminimeve në vendin e ngjarjes, nga pronari i shtëpisë që ishte cak i hajnave e ku u vodhën stoli ari, Policia është njoftuar se tre persona të dyshuar kanë ikur që aty në drejtim të panjohur.

Një njësi policore që po patrullonte në kërkim të të dyshuarve, në afërsi të objektit ish-Mirusha ka vërejtur tre persona të dyshuar, të cilët i ka urdhëruar që të ndalen.

Urdhrave të Policisë nuk iu bindën të dyshuarit të cilët dyshohet se kanë shkrepur armën e zjarri në drejtim të policëve, gjë që ka bërë që këta të fundit të kundërpërgjigjen në mënyrë të njëjtë.

Të dyshuarit kanë arritur që të arratisen në drejtim të panjohur, teksa janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin e tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat