​Arrestohen 6 persona dhe sekuestrohen dhjetëra kilogramë marihuanë

Kronikë e zezë

​Arrestohen 6 persona dhe sekuestrohen dhjetëra kilogramë marihuanë

Më: 12 maj 2023 Në ora: 17:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar dhe ka sekuestruar mbi 12 kilogramë substancë narkotike, në kuadër të operacionit “Guri”.

Departamenti i Hetimeve-Drejtoria për hetimin e trafikimit me Narkotikë, ka kontrolluar 11 lokacione ku si provë materiale ka gjetur dhe konfiskuar edhe 3467 euro, 12.700 lekë dhe tri vetura me të cilat është bartur lënda narkotike.

“Në vazhdën e zhvillimit të operacionit policor ‘Guri’, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si provë materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike. Vlen të ceket se gjatë kontrolleve, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Operacioni “Guri” kishte filluar të zbatohej muaj më parë ku ishin gjetur dhe konfiskuar rreth 36 kilogramë marihuanë, si dhe ishin arrestuar tre të dyshuar.

“Në tri operacionet e më hershme dhe në këtë të ditës së sotme janë konfiskuar rreth 48 kg substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë, vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro, janë arrestuar nëntë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”, është bërë e ditur nga Policia e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat