​“Shtytje në kryerjen e veprës terroriste”, arrestohen pesë të dyshuar

Kronikë e zezë

​“Shtytje në kryerjen e veprës terroriste”, arrestohen pesë të dyshuar

Më: 15 maj 2023 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për “shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Operacioni policor ka qenë i shtrirë në gjashtë lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit.

Kjo është bërë pas hetimeve disa mujore nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në koordinim me Prokurorinë Speciale.

“Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste’, sipas nenit 134 të KPRK-së, dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B, B. V, E. B, A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve janë duke vijuar procedurat ligjore”, është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës.

Të dyshuarit janë të njohur për Policinë e Kosovës për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra të tjera penale në rajonin e Pejës.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa armë, ndërsa me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit mbahen në ndalim policor për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat