Babë e bir në sherr me kushërinjtë në Kaçanik, dalin i rrahin pasi lopa e tyre iu fut në pronë

Kronikë e zezë

Babë e bir në sherr me kushërinjtë në Kaçanik, dalin i rrahin pasi lopa e tyre iu fut në pronë

Më: 18 maj 2023 Në ora: 20:42
Ilustrim

Mosmarrëveshjet për konflikte banale jo rrallëherë i kanë futur në sherr qytetarët. Të tilla incidente shumë herë janë përcjellë edhe me kanosje serioze e sulme brutale dhe për pasojë kanë përfunduar si raste në Polici. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë, në fshatin Vatë të Kaçanikut, ku janë përfshirë dy familje.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pesë persona janë përfshirë në përleshje, dy prej të cilëve kanë përfunduar në ndalim policor.

Por cili është motivi i rastit dhe cilat janë detajet e tjera?

Gazeta mëson se anëtarët e dy familjeve janë kapur për shkak të një lope. Kafsha shtëpiake e familjes së të dyshuarit M.Lamës, është futur në pronën e palës tjetër dhe aty ka plasur sherri mes tyre.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, M.Lama bashkë me të birin po dyshohen se janë përleshur me dy viktimat, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, si pasojë e goditjeve me dru dhe me grushte.

Si pasojë e tensionimit të situatës, dikush ka arritur ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar dy të dyshuarit. Te njëri prej tyre, është gjetur edhe një armë ilegale, që është konfiskuar nga zyrtarët policorë.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarit, babë e bir të dërgohen në mbajtje dhe ndaj tyre të iniciohet rast për veprat “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje ne pronësi kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat