Rrahje mes dy familjarëve në Veriq të Istogut, të dy përfundojnë në ndalim policor

Kronikë e zezë

Rrahje mes dy familjarëve në Veriq të Istogut, të dy përfundojnë në ndalim policor

Më: 23 maj 2023 Në ora: 13:02
Ilustrim

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.

Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Veriq të Istogut.

Këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje momentale që eskaloi nga konflikti verbal në dhunë fizike.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë nga familja Loshaj, por që akoma nuk dihet lidhja e tyre familjare. Të njëjtit janë rrahur fizikisht me njëri-tjetrin dhe për pasojë kanë pësuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, bashkë me Autoambulancën, me ç’rast njëri nga të dyshuarit është dërguar në spital për trajtim mjekësor, teksa tjetri është dorëzuar në Polici.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit ndaj të dyshuarve dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat