I vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë

Kronikë e zezë

I vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit Gj.Gj., për vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë, B.I dhe H.I.

Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj.

“Mund të iu konfirmojmë se lidhur me të dyshuarin Gj.Gj, Gjykata Themelore në Gjakovë ka vazhduar masën e paraburgimit deri më 24.09.2023”, tha Muqaj.

Tutje, Muqaj tha i dyshuari tjetër për përfshirjen në vrasjen e dy vëllezërve në Gjakovë, Zef Ademaj, i cili ishte vetëdorëzuar në Polici më 14 korrik 2023, e ka të caktuar masën e paraburgimit deri më 13 gusht 2023.

“Ndërsa, i dyshuari tjetër i përfshirë në këtë rast, Z.A ka masë të paraburgimit deri më 13 gusht të këtij viti”, shtoi Muqaj.

Kujtojmë që sipas Prokurorisë, për shkak të një konteksti pronësor, më 25 qershor 2023, i dyshuari Gj.Gj., me armë ka privuar nga jeta tani të ndjerët B.I dhe H.I., në fshatin Madanaj të Gjakovës.

Ndryshe, i dyshuari Gj.Gj., ishte arrestuar më 25 qershor 2023, kurse për të dyshuarin Ademaj, Policia e Kosovës (PK) më 29 qershor 2023 njoftoi se i njëjti është në kërkim dhe përmes publikimit të fotografisë kërkohej kapja e tij. Më pas, i dyshuari Ademaj më 14 korrik 2023 u vetëdorëzua në Polici.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me datën 29.06.2023 ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të dyshuar Zef (Viktor) Ademaj i lindur me 23.03.1988, banues në fshatin Zllakuqan-Klinë, i cili kërkohej për veprën penale ‘Vrasje e rendë’ (ndodhur me datën 25.06.2023 në fshatin Madanaj-Gjakovë). Pas publikimit të fotografisë së personit të kërkuar, i njëjti sot me datë 14.07.2023, është vet dorëzuar në polici”, thuhej në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat