Droga po përdoret me të madhe, zbulohen edhe tri raste në Prishtinë, Gjilan e Vushtrri

Kronikë e zezë

Droga po përdoret me të madhe, zbulohen edhe tri raste në Prishtinë, Gjilan e Vushtrri

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 08:48
Foto ilustrim

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Mësohet se tri raste të tilla janë zbuluar në ditët e fundit në Prishtinë, Gjilan dhe Vushtrri.

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në një banesë në rrugën ‘Raif Halimi’ në Gjilan, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë. 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit ai do të hetohet në liri.

Edhe një i ri në Vushtrri u kap në flagrancë më marihuanë, pasi dëshmitarët kishin raportuar se e kanë parë duke konsumuar lëndë narkotike. 22-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prishtinë, ka ndalur për kontroll një person, tek i cili është gjetur një qese me marihuanë. Droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 23-vjeçari ka përfunduar në pranga dhe është shoqëruar në stacion policor.

Në të gjitha rastet e mësipërme, Prokuroria ka nisur hetimet për secilin veç e veç, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat