Sulmi me thikë ndaj policëve në Ferizaj, këta janë tre të dyshuarit që përfunduan në ndalim policor

Kronikë e zezë

Sulmi me thikë ndaj policëve në Ferizaj, këta janë tre të dyshuarit që përfunduan në ndalim policor

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 18:06
Ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetë.

Kështu e pësuan edhe disa zyrtarë policorë që shkuan të intervenojnë në një rast në fshatin Kosinë të Ferizajt.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se të dyshuarit janë

Bajram Lushi 56-vjeçar

Mentor Lushi 39-vjeçar

Muhamer Lushi 25-vjeçar

Si ndodhi e gjithë ngjarja? 

Katër anëtarët e familjes Lushi [njëri nga ta nuk është ndaluar] dyshohet se fillimisht kanë sulmuar fizikisht fqinjin e tyre, i cili kishte iniciuar procedurë për të liruar një hapësirë publike të cilët e kishin uzurpuar të dyshuarit.

Zyrtarët policorë kishin asistuar inspektorët komunalë të cilët kishin dalë në vendin e ngjarjes, por aty kanë hasur në rezistencën e të dyshuarve të cilët nuk u janë bindur urdhrave të Policisë.

Të dyshuarit kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë që po merrnin pjesë në aksion, madje njëri nga ta ka përdorur edhe një mjet të mprehtë. Për të vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin forcën dhe mjetet policore.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, teksa policët kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Sulm’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat