​Djegia e shtëpisë afër QKUK-së, nuk ka të lënduar

Kronikë e zezë

​Djegia e shtëpisë afër QKUK-së, nuk ka të lënduar

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 11:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm, në Prishtinë. Fatmirësisht, nga zjarri që dogji kulmin e shtëpisë nuk ka të lënduar. Derisa ende nuk dihet shkaqet e zjarrit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se rreth orës 7:30 kanë marrë informacion për zjarr në një shtëpi në rrugën “Holger Petersen” në kryeqytet, për të dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar përveç dëmeve materiale”, ka thënë ai derisa ka shtuar se aktualisht policia ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

E komandati i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes tha se kanë arritur të lokalizojnë zjarrin, gjë që çoi edhe në shuarjen e tij.

Ai theksoi se mund të digjeshin edhe shtëpitë e tjera, nëse nuk do të mbërrinin më kohë për shuarjen zjarrit.

Gashi: Ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar me kohë, nuk ka të lënduar

“Na informatat i kemi marrë rreth orës 7:20 të mëngjesit që është duke u djegur një shtëpi. Në fakt informata ka qenë që ka njerëz brenda këtu dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm i ekipeve të zjarrfikësve dhe se për shkak që komunikacioni nuk ka qenë i ngarkuar reagimi ka qenë i shpejtë dhe e kanë nxënë këtë pjesën që është djegur, vetëm pjesa e kulmit të këtij objekti ose kësaj shtëpie. Ndërsa po të ishim vonuar më shumë ka pasur gjasa edhe kulmet e tjera me u përfshi, edhe shumë objekte tjera, pra reagimi ka qenë shumë i shpejtë, profesional. Sa i përket të lënduarve nuk kemi informata nëse ka, zjarrfikësit kur kanë ardhur nuk kanë takuar të lënduar”, tha Gashi.

Edhe dëshmitarët thonë se ekipet e Policisë dhe ato të zjarrfikësve kanë dalë me kohë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me këtë rast tregon edhe banori i lagjes, Milaim Canolli.

Canolli: Intervenova së pari te familja ime, fëmijët e tyre janë mirë

“Jetoj këtu afër, komshi këtu se si ka filluar nuk e di por unë kur jam dal, kam dëgjuar krisma dhe dola të shoh se çka po ndodhë. Kur dola e pash që ka tym dhe është duke u djegur kjo shtëpia këtu. Intervenova së pari te familja ime, me i nxjerr fëmijët e mi por edhe shpejt kanë mbërri edhe zjarrfikësit edhe kanë lokalizuar zjarrin, por se si ka ndodhur, si ka ardhur deri të shpërthimi i zjarrit nuk mundem ta di. Po këtu janë, janë fëmijët e tyre të gjithë, kështu që mirë kanë shpëtuar dhe kanë intervenuar zjarrfikësit”, tha Canolli.

Ndryshe, ekipi i kp ka provuar të flasë edhe me familjen shtëpia e të cilës u kaplua nga zjarri, mirëpo asnjë nga familjarët nuk ka pranuar të flasë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat