​Policia realizoi operacion policor për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare

Kronikë e zezë

​Policia realizoi operacion policor për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 17:19
Policia

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, dhe Prokuroria Speciale e Republikës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me prezencën edhe të autoriteteve zvicerane, sot të martën kanë realizuar një operacion policor për zbatimin e urdhrit të Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special.

Siç njofton policia, gjatë operacionit policor, janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme në Kosovë.

“Urdhri për kontroll është lëshuar bazuar në kërkesën përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare të autoriteteve zvicerane”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë rasti ka të bëjë me disa të pandehur ndaj të cilëve autoritetet zvicerane janë duke zhvilluar procedurë penale me dyshimin se të pandehurit kanë kryer apo janë të përfshirë në vepra penale të mashtrimit përmes sistemeve kompjuterike, ku të dëmtuarit janë personat që jetojnë në Zvicër.

“Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova relevante, rasti është ende në proces hetimor dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve do të vazhdojë për trajtim të mëtutjeshëm të rastit”, thuhet në njoftim.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat