Pronari i ‘Pronto Nosa’ në Gjakovë dyshohet se u përfshi në sherr me një klient, intervenon policia

Kronikë e zezë

Pronari i ‘Pronto Nosa’ në Gjakovë dyshohet se u përfshi në sherr me një klient, intervenon policia

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Përleshjet në kafene e restorante të ndryshme në qytetet e Kosovës, janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme brutale, ku për pasojë nevojitet intervenimi i Policisë. Kështu ka ndodhur mbrëmë në picerinë ‘Pronto Nosa’ në Gjakovë, ku dy persona janë përfshirë në përleshje fizike.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë me dije se dy të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital për tretman mjekësor.

Të njëjtit më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin dhe më pas me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar për shkak se pas një mosmarrëveshje kishin sulmuar fizikisht njëri-tjetrin duke pësuar lëndime trupore. Të dyshuarit pas trajtimit mjekësor me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, tha Elezaj.

Sinjali mëson nga burimet e veta se i përfshirë në rast është pronari i ‘Pronto Nosa’, i cili dyshohet se është përleshur me një klient.

Lidhur me këtë, media ka kontaktuar picerinë, por të njëjtit kanë mohuar të ketë pasur ndonjë incident në lokal dhe të jetë arrestuar pronari.

“Çka po na shqetëson? Për? Çfarë incidenti? Jooo, është total gënjeshtër, qysh me të thonë vlla. Pronari nuk është në mbajtje. Kurrkush hiç. Zojë a bon me thirrë ma vonë, muni me folë me pronarin, se s’është pronari këtu. Kur të vjen shefi mundesh me folë me shefin se nuk është shefi këtu. Kur të vjen shefi mundeni me folë me shefin”, thanë nga ‘Pronto Nosa’”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat