Keqpërdorimet me tenderë, arrestohet i dyshuari i tretë në Suharekë

Kronikë e zezë

Keqpërdorimet me tenderë, arrestohet i dyshuari i tretë në Suharekë

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 22:27
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar edhe një person të hënën, i cili dyshohet për dallavere në një tender që peshon dhjetëra mijëra euro.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas përfundimit te intervistimit me vendim të prokurorit kompetent i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Në vazhdën e veprimeve lidhur me ketë rast dhe nën autorizimin e prokurorit kompetent me datë 28.08.2023 është arrestuar edhe personi tjetër me iniciale (B.S). I dyshuari në bashkëveprim me persona zyrtar të Komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerjen e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga Komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar më 22 gusht dy persona të dyshuar me iniciale (E.SH dhe B.K.) për shkak se dyshohet se të njëjtit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona te tjerë.

“Të njëjtit në cilësi të personave zyrtar kanë qenë te caktuar për menaxhim dhe mbikëqyrje të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve në një fshat të komunës së Suharekës në vitin 2022, ku vlera e kësaj kontrate ka qenë dhjetëra mijë euro. Pas daljes së prokurorit në vend ngjarje dhe eksperteve kompetent dhe verifikimit të gjendjes faktike, si dhe intervistimit të dëshmitarëve, lidhur me ketë kontratë është konstatuar se e njëjta nuk është realizuar siç ka qenë e paraparë. Të dyshuarit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar”, thuhej në njoftimin e Policisë më 22 gusht.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat