Përleshje me thika mes dy të miturve në Gjakovë, përfundojnë në spital

Kronikë e zezë

Përleshje me thika mes dy të miturve në Gjakovë, përfundojnë në spital

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 15:34
Ilustrim

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale.

E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ku dy të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, dy të miturit janë dërguar në spital për shkak të lëndimeve që kanë marrë, e të cilat dyshohet se u shkaktuan nga goditja me thikë.

Elezaj njoftoi se është arrestuar një person i dyshuar.

“Sot rreth orës 11:25 dy persona (meshkuj të mitur) pasi dyshohet se ishin përfshirë në një përleshje fizike në rrugën “UÇK” në Gjakovë, janë dërguar në Spitalin Rajonal për shkak të lëndimeve (dyshohet nga mjet i mprehtë-thikë). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar prokurori i shtetit. Është bërë egzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është arrestuar një i dyshuar”, tha Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat