Tri vite burg për të dyshuarin që shkeli me veturë një person në Ferizaj

Kronikë e zezë

Tri vite burg për të dyshuarin që shkeli me veturë një person në Ferizaj

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 14:32
Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit I.J. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprave penale rrezikimi i trafikut publik dhe mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre vjet.

I pandehuri akuzohet se: më 31 tetor 2021, rreth orës 21:54 në rrugën magjistrale Shtime – Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit “BMW”, në të cilën kanë qenë edhe pasagjerët Sh.J., R.V., dhe D.A., me të arritur në fshatin Ll., nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik, duke mos i`a përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet.

Për pasojë, derisa i ndjeri N.M., ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën nga ana e majtë dhe me të arritur në skaj të rrugës në anën e djathtë, e godet me pjesën e parë të anës së djathtë duke e rrëzuar në tokë, si rezultat i së cilës fillimisht i ndjeri dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, pastaj dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa më 7 nëntor 2021 ka ndërruar jetë.

Me këtë, i pandehuri ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Gjithashtu, “me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e I, si ngasës i automjetit, nuk ofron ndihmë personit të lënduar – tani të ndjerit N.M., duke ikur nga vendi i ngjarjes, duke e lëndë të ndjerin pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar emergjencën – ndihma e parë dhe policinë dhe për pasojë personi i lënduar pas disa ditëve ka ndërruar jetë”, me të cilën ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Të pandehurit I.J., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat