28 vite burgim për të akuzuarin se vrau me thikë vëllain dhe babain e tij në veri

Kronikë e zezë

28 vite burgim për të akuzuarin se vrau me thikë vëllain dhe babain e tij në veri

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për të akuzuarin M.B duke i shqiptuar dënim me 28 vite burg për vrasjen e vëllait dhe babait të tij në veri.

Në aktgjykimin e shpallur me 8 gusht 2023 nga kryetarja e kolegjit, gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, gjykata e Apelit kishte anuluar vendimin e shkallës së parë për dënim me 18 vite burg si dhe trajtim të detyrueshëm psikiatrik me ndalim për të akuzuarin M.B.

Mbrojtja e të akuzuarit, avokati Mahmut Halimi ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se janë duke e përgatitur kërkesën për mbrojtje ligjore në Gjykatën Supreme.

“Jemi duke përgatitur kërkesën për mbrojtje ligjore në Gjykatën Supreme”, tha Halimi.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i të dëmtuarës L. M, av, Miodrag Bërklaqi dhe avokati mbrojtës i të akuzuarit, Mahmut Halimi.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit, ka konstatuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe palës së dëmtuara janë të bazuara.

“Kolegji penal i kësaj Gjykate, të akuzuarit M. B, për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 1.3, 1.4 dhe 1.11 të KPRK-së, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 28 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi..”, thuhet në këtë vendim.

Ndërsa, ndaj ankesës së mbrojtjes së akuzuarit, avokatit Mahmut Halimi, Apeli ka vendosur se është e pabazuar.

Kjo gjykatë, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë përfundime jo të drejta lidhur me vlerësimin e provave që kanë të bëjnë me vërtetimin e gjendjes faktike.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se pjesa e tjetër e aktgjykimi mbetet e pandryshuar.

Tutje, në vendim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë ka pasur edhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Përveç ankesës kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë ku kishte kërkuar një masë më të butë për klientin e tij, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Mahmut Halimi më pas kishte parashtruar edhe kërkesë që kërkesa e Prokurorisë të shpallet si e pabazuar.

Ndryshe, i akuzuari për vrasje të rëndë të babait dhe vëllait të tij, M.B., ishte dënuar me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pasi u konstatua se veprën e ka kryer në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore.

Ndaj të akuzuarit M.B., gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur me 3 prill 2023 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 tetor 2022 kishte ngritur aktakuzë kundër M.B, me arsyetimin se më 27 maj 2022, në orët e hershme të mëngjesit dhe atë brenda orëve 05:00 – 06:00, në Mitrovicë, në rrugën “Kral Petri”, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij, babain e tij M.B dhe vëllain U.B.

Sipas aktakuzës, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare me prindin e tij M.B, i akuzuari natën kritike shfrytëzon situatën derisa të njëjtit ishin në gjumë, paraprakisht shkon në dhomën e të ndjerit U., ku me thikë të kuzhinës të gjatësisë 33.5 cm e godet në gjoks dhe atë në zonën e zemrës, i cili ishte në gjumë dhe i cili nga goditja vdekjeprurëse nuk ka mundur të ofrojë rezistencë, ndërkohë që thikën ia lë të ngulitur në gjoks.

Pastaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri del nga dhoma e të ndjerit U. ku pastaj i njëjti, i pajisur me thikë tjetër të kuzhinës e pret për një kohë babain e tij M. që të zgjohet nga gjumi për të shkuar në banjo dhe pasi që i njëjti zgjohet nga gjumi dhe drejtohet për në banjo i pandehuri e godet me thikë në abdomen, në këtë rast i dëmtuari M., manifeston rezistencë dhe arrin që ta rrëzojë të pandehurin në dysheme dhe t’ia marrë thikën, ku pas këtij momenti fillon të thërras djalin e tij U., ku hyn në dhomën e të ndjerit U. dhe e sheh të vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës tani i ndjeri M. fillon të bërtas duke kërkuar ndihmë ashtu i lënduar me dy thika të kuzhinës dhe disi troket në derën e fqinjit të tij Drazho Dragoljub, ku pastaj Dragoljubi thërret ndihmën e shpejtë dhe i dëmtuari dërgohet në spital, por i njëjti edhe përkundër përpjekjeve për reanimim ndërron jetë në spital dhe atë si rezultat i gjakderdhjes së brendshme masive në regjionin e barkut, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e përparmë të barkut, nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Ndërkohë, tani i ndjeri U.B vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagëve shpuese – prerëse në regjionin e aortës torakale nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3, 1.4 dhe 1.11 të Kodit Penal. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat