Akuzohet se polices ia grabiti revolen dhe e kërcënoi, avokati kërkon rikualifikim të veprave penale

Kronikë e zezë

Akuzohet se polices ia grabiti revolen dhe e kërcënoi, avokati kërkon rikualifikim të veprave penale

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 18:31
Foto ilustrim

 Mbrojtësi i të akuzuarit Vojisllav Zdravkovic, avokati Remzush Latifi ka kërkuar rikualifikim të veprave penale ndaj klientit të tij që ngarkohet për grabitje, sulm ndaj personit zyrtar, shitje të armës dhe posedim të paautorizuar të armëve. Ka kundërshtuar aktakuzën dhe ka thënë se dëshmitarët e paraqitur nga Prokuroria nuk kanë lidhje me çfarë përmendet në aktakuzë.

Kërkesën Latifi e ka bërë në rastin ku Zdravkovic akuzohet se në nëntor të 2016-ës ia kishte grabitur përmes forcës armën polices Valdete Idrizit, pastaj armën ia kishte drejtuar derisa më vonë të njëjtën e kishte shitur për 1 mijë euro. Ndërsa në janar 2017 kur ishte arrestuar ngarkohet se kishte poseduar një boks të hekurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, në fjalën hyrëse prokurori Bashkim Zeqaj tha se përmes dëshmitarëve të propozuar dhe përmes provave që do të paraqiten në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Sdravkovic mbi veprat penale për të cilat akuzohet ai.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Valdete Idrizi, avokati Halit Shaljani e mbështeti fjalë hyrëse të prokurorit Zeqaj dhe tha se në bazë të këtyre provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Zdravkovic.

Po ashtu seanca u ndërpre nga kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi, pasi që palët nuk ishin të furnizuar me të gjitha shkresat e lëndës.

Seanca e radhës u caktua më 30 nëntor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 4 mars të 2019-tës, i pandehuri Vojisllav Zdravkovic me datë 25 nëntor të 2016-tës rreth orës 16:25, në lagjen Dardania, duke përdorur forcë e ka përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme duke iu afruar nga mbrapa tani të dëmtuarës Valdete Idrizi, police e Kosovës, duke e goditur disa herë me shuplaka dhe me përdorim të forcës, nga brezi ia ka marrë armën zyrtare “Glock”, me këllëf, karikator dhe 15 fishekë të kësaj arme. Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “grabitje” nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së.

Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri me armën që e kishte grabitur nga e dëmtuara, është larguar tre hapa nga ajo, ia ka drejtuar armën në drejtim të të dëmtuarës duke e kanosur seriozisht se do ta përdor armën “Glock”. Kështu, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi i 2-të të KPRK-së

Kurse gjatë muajit nëntor-dhjetor të 2016 në Prishtinë, i pandehuri Vojisllav Zdravkovic, duke shkelur ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, armën e grabitur “Glock” ia shet personit të quajtur Gani në vlerë prej një mijë euro. Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” nga neni 372 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu me datë 7 janar të 2017-tës, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë-Kosovë, me rastin e arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, i pandehuri Zdravkovic në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën “boks i hekrit”, Edhe për këtë rast akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 pargrafi 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat