I vdiq foshnja pas disa orësh – Gruaja që lindi në banesë ishte në muajin e 8 të shtatzënisë

Kronikë e zezë

I vdiq foshnja pas disa orësh – Gruaja që lindi në banesë ishte në muajin e 8 të shtatzënisë

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 11:01
Foto ilustrim

Një nënë që ishte në pritje të ëmbël lindi papritmas në banesën e saj në Prishtinë, ku për pasojë foshnja nuk mbijetoi dhe më pas vdiq. Për rastin janë deklaruar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se tashmë kanë nisur hetimet.

Media ka mësuar se gruaja ka lindur foshnjën në javën e 34/35 të shtatzënisë (muaji i tetë) pra lindje e parakohshme dhe nuk është trajtuar më parë në Klinikën e Gjinekologjisë.

Kjo është konfirmuar edhe nga Zef Ndreja, drejtor i kësaj klinike, i cili në një përgjigje për sinjalin tha se nëna është pranuar në klinikë të dielën rreth orës 23:00, ndërkohë që foshnja është transferuar nga mjekët në Klinikën e Neonatologjisë.

Sipas tij, rasti është trajtuar si i dyshimtë dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente.

“Rast social që ka kryer lindjen në shtëpi me dt. 15 dhe është pranuar në KOGj rreth orës 23:00. Foshnja është transferuar menjëherë te kolegët tanë kujdestar në Klinikën e Neonatologjisë. Ndërsa (nëna e foshnjës)po trajtohet në KOGj. Mund të ju informoj se rasti është pranuar  si i dyshimtë (rast social )për çka menjëherë janë informuar organet kompetente sipas detyrës zyrtare, të cilët janë duke u marrë me rastin.”, tha Ndreja.

Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, ku gruaja u drejtua për në Gjinekologji bashkë me foshnjën e porsalindur.

Por pavarësisht intervenimit të mjekëve, fatkeqësisht, pas disa orësh, fëmija ka ndërruar jetë dhe është njoftuar menjëherë Policia.Sipas të njëjtave burime, gruaja ka qenë në banesën e saj kur i kanë filluar dhimbjet, si një sinjal i fillimit të procesit të lindjes. Ndonëse akoma nuk dihet se në cilin muaj të shtatzënisë ishte e njëjta, ajo lindi në banesë – situatë kjo që e alarmoi dhe menjëherë familjarët e dërguan në QKUK bashkë me foshnjën

Në bazë të informacioneve, në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, pra pa u bërë 12 orë nga lindja, foshnja ka ndërruar jetë.

Nga spitali është njoftuar Policia, ndërkohë që njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që ka ndodhur.Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat