10 vjet burgim ndaj të pandehurit për tentim vrasje në Pejë

Kronikë e zezë

10 vjet burgim ndaj të pandehurit për tentim vrasje në Pejë

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 09:52
Gjykata Themelore në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit XH.B për shkak se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” gjatë vitit të kaluar në Pejë.

I pandehuri është dënuar edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se “Më datë 10 shtator të vitit të kaluar, rreth orës 20:15, në fshatin L., Komuna P., me armë në mënyrë dinake ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A. G., në atë mënyrë që fillimisht dy ditë para ditës kritike i pandehuri në një shtëpi të pabanuar prapa shtëpisë së tij, e cila ishte pronë e vëllait të tij (i cili jeton jashtë), e kishte hapur një kanal (varr) për t’i fshehur gjurmët e krimit, pikërisht për ta varrosur të dëmtuarin, ashtu që natën kritike paraprakisht i pandehuri e kishte ftuar në telefon djalin e viktimës dhe të njëjtit i kishte thënë se a është babai i tij, këtu i dëmtuari në shtëpi se unë po vij me marrë me pi një kafe, dhe nuk kanë kaluar as disa minuta i pandehuri shkon te shtëpia e të dëmtuarit të cilin e ka dhëndër (burrin e motrës) të njëjtin e merr e hip në veturën e tij dhe nisen në drejtim të fshatit L. kinse për të shikuar një armë, dhe me të hyrë në veturë i pandehuri i thotë të dëmtuarit t’i ndalim telefonat se mundet dikush me na përgju, dhe nga aty shkojnë në fshatin L. duke iu shmangur rrugës kryesore, hyjnë në oborrin e të pandehurit, në atë moment i pandehuri i thotë viktimës të ulët në një cung në një hapësirë në mes të shtëpisë dhe një murit rrethues, kinse për mos t’u parë nga rruga dhe ia dërgon një armë për ta shikuar”.

Tutje thuhet se “Me ç’rast derisa i dëmtuari ka qenë duke e shikuar armën, i pandehuri në mënyrë dinake dhe nga pas shtënë një herë me armë në drejtim të dëmtuarit, duke e goditur në anën e pasme të kokës mbi qafë, ku viktima si pasojë rrëzohet dhe paraqitet kinse si i vdekur, i pandehuri i afrohet viktimës për ta parë se a ka vdekur me pas largohet me qëllim të ta fshehur armën, i dëmtuari ashtu i plagosur pasi vëren se i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes, ngritët në këmbë dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke shfrytëzuar rrugën pas shtëpisë nëpër livadhe, përrocka dhe arrin në një shtëpi në fshat ku kërkon ndihmë për të dërguar në spital, dhe nga Spitali Rajonal në Pejës të dëmtuarin e dërgojnë në QKUK në Prishtinë, si pasojë i dëmtuari pëson lëndime të konstatuara si në raportin mjekoligjor”.

Të pandehurit, XH.B gjykata i shqiptoi dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej 10 vjet në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e të cilin dënim të mbetur me burg, i pandehuri do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor, gjykatës t’ia paguajë shumën prej dyqind (200) euro, si dhe në emër të Programit për Kompensim të Viktimave të Krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Të pandehurit iu konfiskuan armët dhe fishekët e sekuestruara dhe u urdhërua që të njëjtat të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të pandehurit iu vazhdua paraburgimi pas shpalljes së aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat