Në mungesë të provave, prokurori tërhiqet nga ndjekja penale në rastin për falsifikim të votave

Kronikë e zezë

Në mungesë të provave, prokurori tërhiqet nga ndjekja penale në rastin për falsifikim të votave

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Për shkak të mungesës së provave, prokurori Ilaz Beqiri është tërhequr nga ndjekja penale në rastin e falsifikimit të votave në vitin 2017.

Në këtë rast, për falsifikim të votave në zgjedhjet e vitit 2017, ngarkohen nga Prokuroria: Isak Berisha, Alban Alija, Shega Konjufca, Arbeta Kryeziu, Durim Mustafa, Granit Asllani dhe Mirsad Malisheva, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se prokurori i çështjes është tërhequr nga ndjekja penale për këtë rast.

“Ju njoftojmë se prokurori i çështjes është tërhequr nga ndjekja penale në këtë rast, në mungesë të provave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërsa, gjyqtari i rastit Gëzim Ademi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk ka marrë aktgjykim lidhur me rastin.

Kujtojmë se për shkak të mungesës së provave në shkresën e lëndës, ishte shtyrë seanca e 6 shtatorit 2023.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 25 prill 2023, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu viheshin në barrë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 prill 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Isak Berisha, Alban Alija, Shega Konjufca, Arbeta Kryeziu, Durim Mustafa, Granit Asllani dhe Mirsad Malisheva, me arsyetimin se më 22 tetor 2017, pas orës 19:00 në vendvotimin i cili gjendet në shkollën e mesme “Ulpiana”, në Lipjan, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake, gjatë numërimit të votave, kanë falsifikuar rezultatet e votimit për kandidatë të Kuvendit Komunal të Lipjanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Berisha, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të vendvotimit dhe të pandehurit Alban Alija, Shega Konjufca, Arbeta Kryeziu, Durim Mustafa, Granit Asllani dhe Mirsad Malisheva, anëtarë të Këshillit të vendvotimit, kanë falsifikuar rezultatet e votimit, duke manipuluar me 76 votat e kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik.

Tutje, sipas aktit akuzues thuhet se kandidatëve të preferuar të tyre u kanë shtuar; PD 6 vota, Fjala 60 vota, PDK 10 vota, po ashtu kanë hequr për: PDK 14 vota; LDK 8 vota, të cilat i kanë bartur në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219, par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat