Ky është i riu që goditi me veturë zyrtarët policorë në Ferizaj, u kap me narkotikë

Kronikë e zezë

Ky është i riu që goditi me veturë zyrtarët policorë në Ferizaj, u kap me narkotikë

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 23:03
Foto ilustrim

Disa zyrtarë policorë në Ferizaj janë përballur dje me një situatë aspak të lehtë, pasi tentuan të ndalnin për kontroll një veturë të cilën po e drejtonte një i dyshuar për shpërndarjen e substancave narkotike. Shoferi nuk i është bindur urdhrit për ndalje dhe në ikje e sipër, ka goditur me veturë tre zyrtarë policorë.

Media mëson ekskluzivisht se i dyshuari është 22-vjeçari, Sh. Shemshiu, i cili ka arritur që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe tashmë është shpallur në kërkim policor.

Si ndodhi e gjithë ngjarja?

Një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Bajram e Gursel Sylejmani’ kanë tentuar që ta ndalin për kontroll Shemshiun, pasi i njëjti ishte subjekt hetimi pas marrjes së informacioneve se merret me shitblerje të drogës.

22-vjeçari në momentin që ka parë zyrtarët policorë ka nisur ‘aksionin’ për të ikur nga duart e Policisë dhe në këtë mënyrë, dyshohet se me veturën që drejtonte ka goditur qëllimisht tre zyrtarë policorë që po merrnin pjesë në intervenim.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, Shemshiu ka shkaktuar aksident duke ikur nga vendi i ngjarjes, ku ka goditur edhe një veturë tjetër e më pas veturën që po drejtonte e ka braktisur në malet e fshatit Gërlicë.

Njësitë policore kanë kontrolluar veturën e braktisur, ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa qese me substanca narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë.

Në anën tjetër, policët që u goditën me veturë kanë marrë lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Me urdhër të prokurorit, ndaj Shemshiut kanë nisur hetimet për kryerjen e veprave penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit.

Media do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat