“Vrasja e vëllait”, partnerja e viktimës thotë se vëllezërit mes veti i kishin prishur raportet për shkak të pronës

Kronikë e zezë

“Vrasja e vëllait”, partnerja e viktimës thotë se vëllezërit mes veti i kishin prishur raportet për shkak të pronës

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 23:49
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ku i akuzuari Millorad Shubariq po akuzohet për vrasjen e vëllait të tij D.Sh., ku e dëmtuara L.N., partnerja e tani të ndjerit e dha dëshminë e saj ku tha se raportet mes tyre ishin prishur 2-3 vitet e fundit.

Fillimisht kryetarja e trupit gjykues Alltëne Murseli e ftoi për të dhënë dëshminë e saj partneren jashtmartesore, L.N të tani të ndjerit D.Sh.

Niqiq tha se ata kishin pasur një bashkëjetese jashtëmartesore kur një periudhë kohore kishin bashkëjetuar, por kur raportet mes vëllezërve u keqësuan, i ndjeri i kërkoi që ajo të mos shkonte në shtëpi të të ndjerit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje ajo tha se mosmarrëveshjet kishin filluar për shkak të një shtëpie që ka qenë e babait të vëllezërve të cilën i ndjeri pretendonte se i takonte atij për shkak që ai e ka ndërtuar.

Po ashtu, ajo tha se në ditën kritike kishte marrë një thirrje nga i ndjeri duke i thënë se vëllai i tij me anëtarë tjerë të familjes duan ta vrasin.

Tutje avokati mbrojtës i të akuzuarit Shubariq, avokati Asdren Hoxha e ballafaqoi të dëmtuarën në këtë rast dëshmitaren N. me deklaratat e dhëna në IPK në ditën kritike për faktin që ajo tha se raportet janë keqësuar 2-3 vitet e fundit.

Ajo tha se fjalosjet e lehta kanë qenë normale dhe nuk i ka parë si raporte të këqija mes tyre.

Po ashtu në fund ajo deklaroi se i akuzuari Shubariq e ka thirr disa herë Policinë për këtë rast.

Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh. dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat