Arrestohet i dyshuari i dytë për hedhjen e granatës në tregun e kafshëve në Prizren

Kronikë e zezë

Arrestohet i dyshuari i dytë për hedhjen e granatës në tregun e kafshëve në Prizren

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar njërin nga të dyshuarit për hedhjen e granatës në tregun e kafshëve në Prizren, javën e kaluar.

Sipas njoftimit të policisë, ndaj të njëjtit është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Arrestohet personi i cili ishte në kërkim/Me datën 27.11.2023 hetues policor nga sektori rajonale i hetimeve Prizren përmes rrugëve operacionale dhe falë bashkëpunimit me media dhe qytetarë ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 fshati Uglar/ Gjilan ndaj të cilit prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë. Me këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunim”, thuhet në komunikatën e policisë.

Të mërkurën e 22 nëntorit kishte ndodhur një shpërthim në tregun e kafshëve në Prizren, ku si pasojë mbetën të lënduar 10 persona.

Incidenti i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, pas konfliktit mes dy palëve.

Njëri nga të dyshuarit u arrestua menjëherë, derisa më 23 nëntor, Gjykata e Prizrenit ia caktoj atij masën e paraburgimit prej një muaji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat