Ushtroi dhunë ndaj gruas e vajzës dhe i dëboi, prishtinasi arrestohet – Policia i gjen armë në shtëpi

Kronikë e zezë

Ushtroi dhunë ndaj gruas e vajzës dhe i dëboi, prishtinasi arrestohet – Policia i gjen armë në shtëpi

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 08:30
Ilustrim

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi, në një familje në Prishtinë, ku viktima janë sërish gratë.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 56-vjeçare, e cila ka raportuar se bashkëshorti ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe vajzës së tyre dhe për të mos mbaruar me kaq edhe i ka dëbuar nga shtëpia.

Gjithçka dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, çka i detyroi viktimat të kërkojnë ndihmë në Polici.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Burri i dyshuar për dhunë në familje posedonte edhe armë pa leje, e cila u sekuestrua pasi njësitet policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Dhunë në familje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat