Shitblerja e drogës: Dy personat që u kapën me rreth 20 paketime me marihuanë në Ferizaj janë të mitur

Kronikë e zezë

Shitblerja e drogës: Dy personat që u kapën me rreth 20 paketime me marihuanë në Ferizaj janë të mitur

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Kështu ka ndodhur edhe të hënën, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, ku Policia ka ndalur dy persona që dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Siç mëson media, dy të dyshuarit që u kapën në flagrancë me rreth 20 paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë, janë të mitur, njëri 15 e tjetri 16-vjeçar.

Dy të miturit që përfunduan në Polici dyshohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tyre.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat