Furgoni me targa gjermane shpërfill Policinë dhe tenton të ikë, policët e kapin - ja çka i gjejnë shoferit

Kronikë e zezë

Furgoni me targa gjermane shpërfill Policinë dhe tenton të ikë, policët e kapin - ja çka i gjejnë shoferit

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur, të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpeshherë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorrë, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Një rast i tillë është zbuluar të premten në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Agim Ramadani’ ka tentuar ta ndalojë një furgon me targa gjermane.

Mësohet se shoferi i automjetit nuk ka përfillur urdhrin e Policisë dhe ka vazhduar rrugën tjetër, ku më pas është ndaluar nga një patrullë tjetër në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’.

Gjatë kontrollit, shoferit i është gjetur një armë zjarri me karikator dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

37-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat