Një grua në Fushë Kosovë konsumoi mbidozë ilaçesh pas telasheve me burrin

Kronikë e zezë

Një grua në Fushë Kosovë konsumoi mbidozë ilaçesh pas telasheve me burrin

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 08:14
Foto ilustrim

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike e bixhoz.

Media ka mësuar detajet për disa prej rasteve që kanë ndodhur në rajonet e ndryshme të Kosovës, dy ditët e fundit.

Një rast i rëndë ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një grua për shkak të konfliktit me bashkëshortin e saj dhe presionit psikik me të cilin përballej, ka konsumuar sasi të madhe të ilaçeve. Si pasojë e kësaj, ajo ka përfunduar në spital ku i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Dhunë nga bashkëshorti përjetoi edhe një grua në Gjakovë. 46-vjeçari dyshohet se në gjendje të dehur ka rrahur bashkëshorten e tij, e cila kishte refuzuar të fle me të. 32-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe i dyshuari është arrestuar.

Një tjetër rast ka ndodhur në fshatin Greikoc të Suharekës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. 57-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici dhe më pas i dyshuari është arrestuar. 60-vjeçari, i cili është recidivist i dhunës në familje, ka pranuar se ka rrahur viktimën. Në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me karikator dhe fishekë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një person me djalin e tij nga fshati Drobesh i Vitisë. 25-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait dhe anëtarëve tjerë të familjes, madje e ka kërcënuar 54-vjeçarin se do ta vrasë posa t’i bie një armë në dorë. I riu përpos që ka kërcënuar babanë, ka pasur sjellje agresive edhe me zyrtarët policorë që shkuan të intervenojnë në rast. Pas arrestimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në Fushë Kosovë, e cila është ndjerë e rrezikuar nga veprimet e bashkëshortit të saj. 44-vjeçari dyshohet se në gjendje të dehur e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ka dorëzuar një armë ilegale të cilën e posedonte. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet. Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit. E për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat