Dalin emrat, këta janë dy personat që dyshohet se u prezantuan rrejshëm si policë

Kronikë e zezë

Dalin emrat, këta janë dy personat që dyshohet se u prezantuan rrejshëm si policë

Më: 9 janar 2024 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape apo për të përfituar dobi pasurore nga personat me të cilët janë në telashe. Për një rast të tillë, që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, Prokuroria tashmë kanë nisur hetimet, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar.

Dy persona që po dyshohen se janë prezantuar rrejshëm si zyrtarë policorë dhe kanë ndalur një veturë për kontroll në fshatin Mramor kanë rënë në prangat e Policisë.

Burimet e medias kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë Adil Gashi – i cili ka përfunduar në ndalim policor dhe Astrit Gashi, ndaj të cilit po ashtu kanë nisur hetimet.

Sipas informacioneve të para, ata po dyshohen se e kanë ndalur një veturë dhe janë prezantuar si polic, duke ia marrë dokumentet personale shoferit. Në bazë të dëshmisë së viktimës, të dyshuarit edhe e kanë kontrolluar.

Përballë kësaj situate, viktima ka njoftuar Policinë dhe ka shpjeguar në detaje atë që kishte ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, është siguruar prezenca e të dyshuarve dhe të njëjtit kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, ku ndër të tjera e kanë akuzuar viktimën për përcjellje të vazhdueshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme dhe ngritjen e kallëzimit penal ndaj të dyshuarve në drejtim të veprës penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat