I harroi çelësat brenda, hajnat ia vjedhin kamionin e 15-mijë eurove 41-vjeçarit në Rahovec

Kronikë e zezë

I harroi çelësat brenda, hajnat ia vjedhin kamionin e 15-mijë eurove 41-vjeçarit në Rahovec

Më: 15 janar 2024 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë automjetet, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Një rast i tillë i vjedhjes ka ndodhur edhe të dielën në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, ku një qytetar ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Mësohet se rastin e ka denoncuar një 41-vjeçar, i cili ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme e ka parkuar kamionin e tij në një lokacion në afërsi të pompe në magjistrale, por që nuk e ka gjetur aty kur është kthyer në mbrëmje.

Këtë herë, hajnat e kanë pasur më të lehtë për ta vjedhur kamionin që kap vlerën e mbi 15 mijë eurove, pasi siç mësohet, pronari i kishte lënë çelësat brenda veturës.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbulimin e personave të dyshuar për rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë,” teksa ka urdhëruar Policinë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat