Vushtrri: Burri e bën për spital bashkëshorten, ajo e denoncon – Prokurori e liron

Kronikë e zezë

Vushtrri: Burri e bën për spital bashkëshorten, ajo e denoncon – Prokurori e liron

Më: 17 janar 2024 Në ora: 19:11
Ilustrim

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Vushtrri, ku një burrë dyshohet se e ka sulmuar gruan e tij, por është liruar nga Prokuroria.

Burimet kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur të martën dhe është denoncuar nga viktima, e cila e ka raportuar burrin, për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike.

Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka goditur me fshesë e më pas e ka kapur për flokësh duke e përplasur në tokë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj burrit që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat