Paraburgoset i dyshuari për sulmin me granatë dore në lokalin ‘Gusto’ në Mitrovicë, u arratis muaj më parë

Kronikë e zezë

Paraburgoset i dyshuari për sulmin me granatë dore në lokalin ‘Gusto’ në Mitrovicë, u arratis muaj më parë

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 22:33
Foto ilustrim

Në qershor bëhen një vit nga incidenti që ndodhi te kafeneja ‘Gusto’ në sheshin kryesor të Mitrovicës, lokal ky që ishte cak i një sulmi të rrezikshëm. Arjan Delijaj dhe Gzuart Hisenaj, dyshohet se kishin hedhur granatë dore dhe të njëjtit më pas ishin arrestuar.

Me urdhër të Gjykatës, Delijaj dhe Hisenaj ishin dërguar në paraburgim, por Delijaj ishte arratisur nga duart e Policisë, të cilët po e transportonin në Qendrën e Paraburgimit në muajin gusht të vitit të shkuar.

Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mëngjesin e sotëm është kryer një aksion në shtëpinë e të dyshuarit Delijaj në fshatin Poklek të Drenasit, i cili ka rezultuar me kapjen e të dyshuarit.

Delijaj pas arrestimit është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, mëson Sinjali.

Por si ishte arratisur Delijaj të premten e 25 gushtit 2023?

Me vendim të Gjykatës, Arjan Delijaj dhe Gzuart Hisenaj, të dyshuar për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, po transportoheshin në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Në momentin kur Delijaj i shoqëruar nga zyrtarët policorë kanë arritur te Qendra, 26-vjeçari dyshohet se në mënyrë të dhunshme ka shtyrë njërin prej zyrtarëve policorë dhe është arratisur që aty.

Arjan Delijaj që nga ajo ditë, po shijonte lirinë nga arratia, teksa po kërkohej intensivisht nga organet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat