Zyrtari i BQK-së raporton në Polici se dy banka kanë depozituar mbi 1 mijë 2-she të falsifikuara

Kronikë e zezë

Zyrtari i BQK-së raporton në Polici se dy banka kanë depozituar mbi 1 mijë 2-she të falsifikuara

Më: 5 mars 2024 Në ora: 09:26
Foto ilustrim

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.

Disa raste të tilla janë raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ka njoftuar se nga dy banka kanë depozituar mbi 1 mijë 2-she që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë depozituar brenda disa ditësh kah fundi i muajit shkurt, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat