Shpërthejnë magazinat, tritoli i dytë për biznesmenin

Kronikë e zezë

Shpërthejnë magazinat, tritoli i dytë për biznesmenin

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 07:56
Policia e Durresit

Me sa duket hakmarrja ndaj pronarëve të fabrikës së riciklimit të mbetjeve spitalore në Shijak, nuk ka përfunduar. Një shpërthim tjetër eksplozivi ka tronditur kësaj radhe në magazinat e marra me qe ra nga incerenatori në Shijak. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, rreth orës 22:5 të ditës së premte, në Shijak, në afërsi të derës së magazinave të marra me qira nga shtetasi Arlind Lala, 33 vjeç, banues në Shijak, e cila përpunon mbetje spitalore, është shpërthyer me një sasi të vogël lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale te dera e dhomës frigoriferike, në një kohë që nuk ka dëme në njerëz. Policia ka siguruar në cilësinë e provës materiale një copë fitil zjarrpërcjellës. Po kështu, në vendngjarje janë siguruar dhe prova të tjera, por dhe pas shpërthimit të dytë akoma nuk ka persona të dyshuar apo të kapur nga policia në lidhje me këtë krim.

Ngjarja Disa ditë më parë 33-vjeçarit Arlind Lala, me profesion stomatolog, ju vendos një sasi tritoli në mjediset e jashtme të klinikës së tij duke shkaktuar dëme materiale. Babai i pronarit të fabrikës, u shpreh se djali i tij nuk ka pasur hasmëri me askënd dhe se të gjithë ngjarjen e lidh me protestën e disa ditëve më parë, të inskenuar sipas tij nga Bashkia e Shijakut. Ai deklaroi për “Shekullin” se, djali i tij shkoi të sqarohej me banorët dhe protestuesit, por këta të fundit e qëlluan në nofull. Ai e lidhi shpërthimin me protestën, duke përjashtuar çdo konflikt apo problem që mund të ketë pasur më parë djali i tij. Familja Lala deklaroi se nëse populli nuk e do fabrikën ata do ta mbyllin, por kërkoi drejtësi për veprimet e dhunshme ndaj djalit të tij. Ndërkohë policia dhe organet e tjera të specializuara po hetojnë në lidhje me këtë ngjarje, ku pista më e fortë për momentin është ajo e një hakmarrje të mundshme për shkak të ndërtimin të fabrikës në territorin e qytetit të Shijakut.

Protesta

Banorët e Shijakut u ngritën në një protestë më 6 shtator kundër funksionimit të kësaj fabrike, pasi sipas tyre, ajo shkakton ndotje të madhe mjedisore. Ata deklaruan se do të ndalojnë hapjen e saj me çdo kusht. Në këtë protestë, njëri prej protestuesve dhunoi vetë 33-vjeçarin Lala me mjete të forta, duke i shkaktuar frakturë në nofull. Ndërkohë, pesë ditë më vonë, persona të paidentifikuar i vendosën lëndë plasëse në derën e klinikës së tij dentare në lagjen “Petrit Llaftiu” në Shijak. Duhet theksuar fakti se të dyja rastet e shpërthimeve nuk janë zbardhur ende nga policia.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e së premtes, pronarët e fabrikës kanë deklaruar se fabrika është brenda të gjitha garancive dhe kushteve për të mos shkaktuar asnjë ndotje mjedisore. Ata ia kanë prezantuar projektin dhe Bashkisë së Shijakut, që reagoi përmes juristes së këtij institucioni pas protestës së banorëve të Shijakut. Bashkia u shpreh në krah të banorëve, por deklaroi se ishte ftuar nga pronarët e fabrikës që të njihej me projektin. Një grup special hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje të pazakontë për një qytet të qetë si Shijaku. Burime të besueshme policore kanë bërë të ditur se po punohet në disa pista, ku dhe ajo e përfshirjes së personave që iu janë prekur interesat nga ky projekt është duke u hetuar.

Policia

“Më datë 15.09.2017, rreth orës 22:55, në Shijak, në afërsi të derës së magazinave të marra me qira nga shtetasi A. L., 33 vjeç, banues në Shijak, e cila përpunon mbetje spitalore është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse. Për pasojë, janë shkaktuar dëme të vogla materiale tek dera e dhomës frigoriferike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një copë fitil zjarr-përcjellës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar në nenin 152 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat