Një vit pa profesorin e nderuar, mikun tonë Murat Gecaj

Kultura

Një vit pa profesorin e nderuar, mikun tonë Murat Gecaj

Nga: Kadri Tarelli Më: 17 korrik 2021 Në ora: 18:42
Murat Gecaj

Para një viti, korrik 2020, kur profesori dhe miku ynë Murat Gecaj ndërroi jetë, unë publikova shkrimin: “Murat Gecaj. Përherë mes krijuesve të letrave shqipe”. (Siç e njoha unë). Shoqëruar me një foto të bukur, ku shquhen emrat: Bashkim Saliasi, Bajram Gashi, Murat Gecaj, Kadri Tarelli, Viron Kona, Sejdo Harka. Gazeta “Bota sot”, Revista “Dituria”, portali “Fjala e lirë” dhe “Zemra shqiptare”.

Shkrimi u pëlqye dhe pati mjaft komente ngushëllimi e nderimi. Në fund të shkrimit kisha vendosur këto fjalë: “Profesor, Dr. Murat Gecaj, fizikisht prehet në parajsë, por me veprat që na ka lënë do të jetë kurdoherë mes nesh, mes shkrimtarëve, gazetarëve dhe krijuesve të shumtë, si model dhe udhërrëfyes i përsosur. Ai në letrat shqipe, i ngriti vetes edhe piedestalin edhe monumentin, ndërsa ne, me shkrimet tona vetëm e kujtojmë, e përshëndesim, e ledhatojmë, e përkëdhelim dhe e nderojmë në përjetësi”.

Isha i bindur, se kisha dhe kam të drejtë, sepse prof. Murati kurdoherë kujtohet nëpër bisedat tona, duhet thënë të rralla për këtë vit që shkoi, pasi takohemi më pak, shkak virusi dhe pandemia. Jo rastësisht, më duhet të shtoj, se profesori ynë përmendet edhe nëpër veprimtari të ndryshme, sikur është mes nesh, apo pritet nga çasti në çast të hyjë e të zero vend, gjithmonë në krye. Kështu ndodhi në një veprimtari organizuar në Hotel “Mondial”, Tiranë, në javën e fundit të Qershorit 2021, me rastin e dorëzimit të çmimit “Pena e art e Migjenit”, akorduar, shkrimtarit e studiuesit Viron Kona, nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras, Suedi.

Image

Vetë Sokol Demaku, në fjalën e tij të sapo nisur, duke mposhtur dhembjen e tij, për humbjen e djalit Shkëlqimit, kujtoi me nderim Prof. Dr. Murat Gecaj, duke shtuar: “Në këtë takim na mungon miku ynë, penë artë e fjalë bukur”. Besoj se ky është edhe shpërblimi më i mirë, më i çmuar e më i lakmuar, për cilindo krijues, që të ndodhet në kuvend edhe kur është në parajsë, pranë perëndisë.

Kujtimet dhe mbresat për profesorin e nderuar janë të shumta dhe rrjedhin lirshëm sapo të hapësh brazdën e parë.

Jam njohur rreth 20 vjet më parë, kur çoja shkrime në gazetën “Mësuesi”, në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Nuk dua të përsëris ç’ kam shkruar më parë, por me Profesor Muratin bëheshe mik me njëherë, sepse përfitoje nga përvoja e tij, nga kultura e gjerë, nga kujtesa e fortë, aq më shumë nga biseda e ngrohtë e miqësore. Ai ishte edhe një mësues e rrëfimtar i përkryer.

Image

Unë isha i ri në udhën e gazetarisë, ndaj një herë e pyes, thjesht për të marrë një mendim: “Kam vënë re se në shkrimet tuaja, (reportazhe), vendosni shumë emra, ndryshe nga shumë gazetarë të tjerë që kursehen apo mjaftohen me dy-tre emra”. Mbaj mend se buzëqeshi me dashamirësi dhe m’u përgjigj thjesht: “Emrat janë stolia e çdo shkrimi. E kam nga përvoja, se kështu pëlqehet nga “Heronjtë”, qofshin personalitete apo njerëz të thjeshtë. Cilido e kupton se kështu ai bëhet i njohur edhe nga shumë të tjerë, por mbi të gjitha, ai le gjurmë në vulën e kohës. Së dyti, emrat e bëjnë shkrimi të besueshëm për publikun. Ja po të pyes: Ç’ vlerë ka një shkrim pa datë, pa emër vendi dhe pa emra njerëzish? Kush e lexon dhe kush e mban si dokument? Së treti: Emri është “pasaporta” e shkrimit, që mund të pranohet e të futen në shumë shtëpi, në shumë familje dhe kështu mund të ruhet për shumë kohë”. E gjitha kjo, ishte një mësim i vyer për mua në fushën e gazetarisë dhe shkrimeve.

Në hullinë e kujtimeve, mbaj mend se sapo ulej në tavolinë, më herët në lokalet e qendrës së Tiranës, më pas kur ecja e lodhte, uleshim pranë shtëpisë së tij, tek lokalet e “Stacionit të trenit”. Kënaqeshim nga biseda që zgjaste pa u ndjerë për disa orë. Nuk harronte të nxirrte karamele, duka na dhënë të gjithëve, shpesh nxirrte edhe një faqore të vogël rakie, duke na thënë: - pijeni me kursim dhe të zgjatet muhabeti. Nuk e mbante vendi deri sa të bënim fotografi. Ishte mjeshtër i saj, dhe i dashuruar dukshëm nga magjia e aparatit, si duket huq i mbetura nga gazetaria në terren. Pas takimit, nuk porositej askush për të bërë shkrim, pasi dihej që në mbrëmje do ta shikonim veten në Facebook, apo portale të tjerë. Të them të drejtën ne kënaqeshim dhe na pëlqente. Shpesh bënim edhe komente.

Diku kam shkruar, se profesori ishte i shumë gjindshëm në emisionet e Radio Tiranës, rubrika e kulturës, drejtuar nga gazetarja e talentuar Kozeta Hoxha. E kujtoj këtë, sepse ishte pikërisht ai që më bëri të jem edhe unë pjesë e disa emisioneve. Ishte përvojë e re, por edhe një kënaqësi e veçantë të dëgjoheshe në radio.

Për krijimtarinë e tij, si shumë të tjerë edhe unë kam bërë disa shkrime: “Një tjetër koleg i dashuruar me “Bukurinë e shpirtit Suedez”, kushtuar librit, “Me zemër në vendlindje” (Shënime e mbresa, nga Suedia). Ndërsa për dy librat: “Kur flasin zemrat”, kushtuar krijueseve, vajzave dhe grave shqiptare, “Është një tjetër buqetë me lule shumëngjyrëshe”, që autori i shton librit “Për ju krijuese”, botuar pak kohë më parë. Dhe mbi të gjitha jam i nderuar që kam mundur t’i marr një intervistë, që e vlerësoj si “Qershi mbi tortë”. Për mua mbetet kujtimi më i bukur dhe më me vlerë, sepse çdo herë që e lexoj, kam ç’të mësoj.

Më duhet të theksoj edhe një herë, se profesori ishte thesar kujtimesh dhe mendimesh, sepse e kishte jetuar jetën, mbushur me përplasjet e kohës, duke u rritur e ngritur pak nga pak, si gazetar e me pas si shkrimtar e krijues i nivelit të lartë. Tani që po shkruaj diçka nga mbresat e mia, them se jam me fat, që të gjitha këto shkrime i kam future në “Arkën e kujtesës”, duke i përmbledhur e botuar në librin tim “Kur lexoj një libër”.

Image

Nuk e teproj të them, se profesori nuk ishte indiferent ndaj krijimeve tona. E kam fjalë edhe për mua dhe shokët e miqtë e tjerë, gazetarë e shkrimtarë. I lexonte me kujdes, dhe sa herë që mblidheshim bënte vërejtje dhe shfaqte mendimet e tij, ku nuk mungonin edhe këshilla. Madje mund të shtyhem më tej, sepse nuk kanë munguar edhe shkrime që profesori i ka kushtuar takimeve dhe librave të të tjerëve, madje dhe librave të mi. Mund të përmend: “Drekë letrare, në bregdetin e Durrësit”. Tetor 2015. ‘Ne ishim te miqtë tanë, Kadri Tarelli e Bajram Gashi”. Mars 2017. “Na bashkoi miku ynë, Kadri Tarelli” Shkurt 2018. Këtu më duhet të shtoj edhe një shkrim vlerësimi, kushtuar librit tim: “Kur lexoj një libër”, etj.

Kujtimet nuk kanë të sosur. Besoj se edhe miqtë e tjerë të prof. Muratit e ndjejnë mungesën e tij, si mik, si shok e dashamirë i letrave dhe krijimit. Na mungon, ndaj e duam dhe e kërkojmë zerin e butë, mendimin e pjekur, fjalën e ngrohtë dhe syt e qeshur e plot dritë.

Ai e deshte jetën, prandaj nuk pushoi deri ne çastet e fundit, për të na lënë aq shumë libra me vlerë, si trashëgimi e vyer për t’i shrbyer dijes dhe kulturës sonë kombëtare. Prandaj Pjetër Meta, në një shkrim homazh, do të shprehej: “Dhe një lis i madh i Nikaj Mërturit ra…”

Sejdo Harka, një tjetër shkrimtar e krijues i pasionuar ka shkruar në dy vargje: “Murat Gecaj nga Tropoja/burim pena, mjaltë goja.

Image

Ndërsa unë sot e për nga mot, po them me plot gojë:

“Murat Gecaj është njeriu që nuk ka vdekje. Ai do të jetë përherë mes nesh. Me veprat që la, do të kujtohet në përjetësi!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat