Mërgimtari me dëshmi ndaj atdheut dhe dashurisë

Kultura

Mërgimtari me dëshmi ndaj atdheut dhe dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 6 shtator 2021 Në ora: 23:52
Kopertina

Xhevat Muqaku është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare, një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për kombin tonë dhe atdheun e të parëve tanë, për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe për adhurim ndaj fjalës dhe hijeshisë së saj. Në këtë kontekst, duke shfletuar veprat e tij, konstatojmë se poezia për autorin është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe me ndjeshmëri: Mendja udhëton lirshëm/ Arrin në kështjellat e larta/ Me trasenë e sukseseve. (Udhëtimi).

Që në faqet e para të kësaj vepre briliante (Kupolë e ëndrrave), ballafaqohemi me meditime mbresëlënëse dedikuar vendlindjes: Ndryshimet i buzëqeshin vendlindjes/ Kujtimet e çlirojnë të kaluarën/ pa e harruar amanetin. (Ibidem-Udhëtimi). Feminiteti në thjeshtësinë e saj mund të shpie drejt gjysmës së përsosur të asaj që don të thotë paritet i perfeksionimit, pa komplikime që s’e kanë vendin, por vetëm me cilësitë e domosdoshme të përjetimit në intenzitet të vazhdueshëm: Zëri yt i ëmbël/ Paksa i shterrur pas./ Vrapova gjatë pa busollë/ Startova nga Argeni i gjatë/ Arrita i (ç)lodhur në Tiranë. (Vrap Prizreni). Xhevati i anashkalon subjektet me karakter pesimist dhe pornografik, duke i dhënë prioritet ëndërrimit dhe kërkimit. Një element qenësor dhe komplementar. Këtu intervenon ajo gjendje sublime të cilën në mënyrë karakteristike e definojmë poezinë si princip elementar i substancës së ëndërrimit dhe dhe përjetimit: Gëzim i ndriçuar nga lumturia/ Fëmijëria me ëndje ëndërrohet/ Lartësive mbresëlënëlse. (Udhëtim në kohë).

Në vargjet e tij ballafaqohemi me kohën dhe me subjekte kushtuar atdheut dhe dëshmorëve të kombit, familjarëve dhe dashamirëve në plotninë e hapjes së hapësirave. Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, Zt. Xhevat Muqaku vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat atdhetare, hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej: Koha me të humburit në këtë valë/ Rrëshqet shtigjeve të rrëpijshme/ Në vazhdimësi të qëndrueshme. (Vazhdimësi).

Autori e ka vendin e rezervuar për mysafirë me rrezatim të madhështisë. Ai buzëqesh, edhe pse shikimet e kalimtarëve ia ndajnë shpirtin në dy pjesë. Në pjesën e parë përjetimi, kurse në të dytën ëndërrimi. Meriton t’i themi Tungjatjeta dhe Mirëdita, sepse e meriton, siç i meriton edhe veprat e botuara dhe mirënjohjet. Jemi krenarë që ka krijuar një miqësi të fuqishme letrare, duke botuar disa libra ku tema kryesore është rruga e suksesit dhe ura e shëndetit. Mburremi me faktin se Zt. Xhevat Muqaku arriti të punojë me sukses për realizimin e projekteve, ura e tij duke u bërë më e fortë, për të kaluar çdo sfidë për të arritur në prag të lumturisë me realizime ëndërrash dhe projektesh.

Fluturime lirike nga vendlindja në mërgim dhe anasjelltas

Kupolë e ëndrrave në kërkim të freskimit, freski e shpirtit dhe shpirt i blertë. Betimi e hymni, flamuri e kombi, dhe mendimi që të përtërin “Me këngën e shpirtit në qiellin e kaltërt.” Pas “Nuseve të erës”, libri i dytë i Xhevat Muqakut është i strukturuar në katër cikle: Ombrellë e hapur, Vakcinë, Faqet e pushimit, dhe Ombrellë e mbyllur. Në këtë kontekst inspirimesh lirike del në pah një kupolë e re ëndrrash në kërkim të freskimit, një mesazh lirik i qartë, dhe një freski e shpirtit që arrin “në kështjellat e larta/ me trasenë e suksesve”. Rima është prezente formalisht në disa vargje, por misioni i saj nuk ka të bëjë me lirikën klasike. Disa strofa të e poemave të tij mund të shndërrohet në haiku, një stil i veçantë i lirikës bashkëkohore. I sigurtë në vetveten, i relaksuar dhe optimist, Xhevat Muqaku, mjek dhe ëndërrimtar, është një nga poetët më të rinj të diasporës shqiptare, një realist i fuqishëm që qëndis vargje për të gjitha moshat, duke t’i përkujtuar të gjitha segmentet e jetës, madje edhe vendlindjen ku “Dyreku shtëpisë,/ I dhuron qëndresën, sigurinë,/ Krenarinë dhe buzëqeshjen.” (Relaksim).

Siç duket, bota poetike e këtij autori është e mbrujtur me „alternativën reale”, siç shprehet në njërin nga vargjet e tij, një univers lirik që i referohet kuptimit të vlerave humane, meditative dhe filozofike: „Toka e preferon lëvizjen”, me pushimin e shkurtë, dhe me jetën si një dhurratë e Perëndisë. Apo: ”Afrimi sfidon vështirësitë,/ Qetësinë dhe zemergjerësinë,/ Në supet e fjalës së mirë./ Oxhaku përballoi luftën/ Gjeometri gjeniale/ Në flakën e Simbolikës monumentale.” Duke analizuar peshën e vargut të tij, që në shikim të parë duket i thjeshtë, konstaton se autori përshkruan një univers shpresash të panumërta ku rolin elementar e ka familja, ambienti dhe shoqëria. Autori plasohet në qendrën e një universi të ngarkuar me një spektër elementesh prezente edhe në vëllimin e tij të parë. Xhevat Muqaku është një ishull i ndodhur në pajtim me vetveten dhe me ata që e rrethojnë. Poemat e tij janë një varg fragmentesh të shkëputura nga jeta e përditshme, duke lënë përshtypjen e një diskursi të pjekur, dhe të një pikëshikimi të mbrujtur me një botë reale dhe me një kohë të përbërë nga fluturimi prej vendlindjes në mërgim, dhe anasjelltas.

Thonë se kritiku është ai që të ngren në qiell apo të varros në zemër të dheut. Ne s’jemi kritik letrar, dhe as që kemi kritikë të kalibrit të lartë në diasporë, por duke analizuar peshën e vargut, konstaton se autorit nuk i mungon imagjinata. Sipas tij, “Bekimi e bekon besimin dhe lumturinë”, “romanit i jep shijen e duhur, duke u shkrirë në gojë të Çamërisë, me freskun e lirisë së imagjinuar që e gjallëron fluturumin mbi livadhet e shtruara me diell, apo: ”Balerinë e fejuar me Busollën/…/ Parajsë shumëngjyrëshe,/ Në dy lumenjtë shuan etjen,/ Shtrëngon fuqishëm diellin,/ Reve dhe shiut u buzëqesh” duke e amnestuar fatin e amnezisë.

Xhevat Muqaku është një poet origjinal, një krijues që e përjeton jetën dhe krijon një univers poetik të veçantë, paralelisht me atë botë poetike që manifestohet nga sivëllezërit e tij, jo vetëm në diasporë. I ndjeshëm dhe nganjëherë tejet modest, ai ka nisur t’i shfrytëzojë burimet e frymëzimit dhe t’i njohë fshehtësitë e artit dhe mjeshtrinë e shprehjes. Herë pas here, te ai ballafaqohemi me një prozodi të konstruktuar nën presionin e lartë të plasimit të ideve mbi një platformë dukshmërisht retorike dhe moderne, por paradoksalisht të ndërtuar mbi një platformë fikse, tek-tuk me një gamë strofash me tre vargje, didomos në kapitullin e parë „Ombrellë e hapur”, që don të thotë se poeti ka një „peisazh” të logosit vetjak, të cilin e kultivon lirshëm gjatë shpërthimit të tensionit lirik „me rrezatim e lundrim madhështishë”. Sipas tij, në trasenë e vjetër të mërgimit: „Zëri i valëve dhe qindramijë peshq vallëzonin,/ Notim maxhestetik para Augurit,/ Në pasazhin e ecjes shqiptare.”

Poetin e frymëzon çdo fjalë, çdo gjë, çdo eveniment, çdo ngjarje, madje edhe vajtja në piknik: „Sot pasdite me miqtë ishim në piknik./ Zonjat tona gatuan flinë në mërgim „me saçët e vendlindjes.” „Ha fli e flej,” thot plaku ne Drenicë. Në këtë kontekst ekziston një filozofi e ekzistencës, e mbrujtur me spektrin e dëshirave, apo me „Gëzimin e përpjekjeve” që e ushqen poezia, „Entuziazmi dhe përjetësia.” Poeti krijon një kohë konkrete, senzoriale, që shëmbëllen me një botë që e preferon lëvizjen dhe „Pushimin e shkurtër”, madje edhe „Pasurimin me Jetën dhurratë.” Në vend të abstrakcionit, këtu mbretëron dashuria që s’lejon të vdesë normaliteti i përjetimeve të përditshme, duke e nxitur autorin të na ofrojë një tabllo perceptimesh plastike të shprehjeve të jashtëzakonshme: „Arti krijon gjuhën botërore,/ Ngjyros ndjenjat e zgjimit, / Këndon madhështinë e natyrës.” Përfundimisht vlen të theksojmë se Xhevat Muqaku e përjeton ekzistencën në kërkim të freskimit, duke e freskuar memorjen e diasporës shqiptare, me vlera të reja letrare. (Bukuresht, 5 Shtator 2021)

Lokomotiva elektrike

Pres lokomotivën elektrike

Më kujtohet Dardania

Dhe mungesa e mjekëve

Që i kishin përjashtuar nga puna

Kur gatuhej flija në mërgim

Ha flij dhe flej

Thoshin pleqtë e Drenicës
Kur mbuloheshin tepsijat
Me saçët e vendlindjes.
 

Rifreskim


Armatosa tingullin,
Piratin e zemrës,
Krushq jetëshkrimorë.

Lëngu i arsimit,
E krasit asimilimin,
Me skicimin adekuat.

Hyjni dramatike,
Ilir në roman,
Është Hadi aktori.

(Bad Dürrheim, 16 nëntor 2010 - 4 janar 2011)
 

Dëshirë që djeg

Qeshjen me zë të lartë,
E shoqërojnë sekretet,
Darka, në dukje e varfër,
Përpara Notesit tim:
Fotografitë, fjalitë dhe gjestet.

Ndjenjë e optimizmit më lajmëron,
Hije në kujtimet tronditëse.
Puna, ëndrrën e ndërpren,
Gjymtyrët e larguara i afron.

Jeta e ka për shije humorin,
Mania pëlqen çmimin, grurin.
Filteri me gurrën dhe buzën luan,
Djegja mallin e njomë s'e shuan.

Për bisedë aktive pa saç,
Koha nuk mjafton kurrë.

Mençuri zogu

Humbje kompetence, pa lëvizur.
Anashkalim, injorim, ventil,
Kushte me vetëdije, sabotim,
Dyshim, mosbesim në provë,
Shantazhimi barazon sukseset.

Hajt more, mirë, keq, po ore,
Udhëheqës autoritar, analfabet,
Trup e rrugë - gjurmë Kërmilli,
Ti vulos e shkruan emrin tim,
Unë nënshkruhem, ndryshe s'bën.
 

Këngë
 

Shkoi Zhivago tek koteci,
Çmimi i ditës ngritet flakë,
Falem, por mos harro vezët,
Që flasin gjuhën e trupit,
Përsëritjet bëhen Farsë.

Keni dëgjuar kaherë burra,
Se gëzhoja e prejardhjes
Gjithnjë fiton në vlerë,
Tek bërthama thesarë,
Dhe gjumi turra-turra.

Tepsia dhe zjarri në breg,
Të lumit në qiellin e hapur,
Luftuan nënshtrimin e kuq,
Gati të mbaruar, dit’ e natë.

U ndeshën mendimet

Në qershor të '11-shit,
Me pllakën përkujtimore,
Ruajtën ndjenjën e krenarisë,
Për betejën e madhe,
Që Masoni e zhvilloi. Fitoi,
Në vitin 1799,
Në Urë, afër Zyrihut mbi Limat.

Me kuzhinën e yjeve,
Në udhën kulinare,
Punën, me jetë t'ëmbël,
Dembelinë e nyjeve stërkeqe,
Të vërtetën që sytë i shpon,
Asnjëherë nuk harrohet,
Bisha që të kafshon.

Pranë Dolomiteve


Garën e biçikletave,
Gëzimin e përpjekjeve,
E ushqen poezia,
Entuziazmi dhe përjetësia.

Ëndrra e bardhë,
Kërkon pastërtinë,
Vizionin në vetvete,
Kalimin e kufijve.

Nuk ndalem dot, në
Përpjekjen që i dorëzohet,
Kërkesës për frymëzim,
Dizajnim të përkatësisë...
 

Vakcinë

Dua t'i kundërvihem infeksionit,
Të përkrah imunitetin,
Komponentën më të rëndësishme,
Kalendarin, efektin e padëshirueshëm,
Në fushën e parandalimit.
 

Fotografia që flet

Bashkëshortët bashkëluftëtarë,
Me dritën në këndin e zalisur,
Personazhet e pozuara qetësisht
Me nuset shqiptare të burrëruara.


Duart e përkëdhelura nga Martina
Ngacmimet e imagjinatës,
Fatin e historisë shqiptare, me
Teutën, Mamicën, Norën, Tringën,
Shoten,Ganimeten, Iben, Xhevën...

Gjurmë
 

Vizitova Ulqinin,
Shtëpinë ku të gjithë,
Ndjeheshin Profetë.

Lexova në Janinë:


Në Preshevë dorëzoni,
Porosinë: Boletinin,
Afër Mitrovicës ta kërkoni.

.
Skenë e paradës

Me kostumet,
Muret në gurë,
Tendat mbi Kraterin,
Hohentwiel në maje,
Në terrenin e projektuar,
Me koreografi mesjetare.

Parada përjetohet si çelës,
I frymëzimeve individuale,
Ide kolektive me përmbajtje,
Premierë, pasim, pritje,
Ekspozitë dhe duartrokitje.

Tërheq në audiencë, Akrobat,
Reklama, Kalorës, Art të gatimit,
Në këte Performancë tradicionale,
Kodet kulturore marrin këmbët,
E nderon vallëzimi zonjën Finale.

Publiku, megjithatë e ndjek,
Kërkon përgjegjësi simbolike,
Mbetet brenda dhe jashtë,
Jetës së tyre të përditshme.

Botë e lumtur

Identifikim i kënaqësisë,
Trupit dhe shpirtit,
Ushqim, brengë, hare,
Obligim, vlerë, begati,
Dhimbje, sakrificë,
Nisje nga lavjerrësi,
Imagjinatë e vizion,
Edhe i uritur, frymoj,
Takoj te Habibi dëshirën,

Për përjetimin e bukurisë,
Për një botë të lumtur,
E kuptoi dhe rrezatoi...

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat