Lamtumirë Profesor Preng Baloj…

Kultura

Lamtumirë Profesor Preng Baloj…

Nga: Martin Dedaj Më: 30 shtator 2021 Në ora: 14:49
Preng Baloj

Paraditen e të mërkurës me 29 Shtaor 2021 ndërroi jetë gazetari, publicisti dhe shkrimtari Preng Zef Baloj. Ai u lind në Grykë-Orosh të Mirditës më 16 Qershor 1942. Arsimin 7-vjeçar e kreu në vendlindje në vitin 1956, atë të mesëm në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka”, Shkodër (1956-1960) dhe të lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik (me korespondencë) po në Shkodër.

Punoi si mësues në Orosh (‘60-‘62), më pas drejtor shkolle në Bozhiq (‘63-‘65), mësues në Shpal (‘65-‘68) dhe inspektor kulture në Rrëshen ‘69. Në vitet 1969-1977, gazetar në gazetën “Bashkimi”. Por udhën e gazetarisë e ka nisur që në mesin e shekullit të kaluar, me prezantimin e parë më, 14 Tetor 1962 në gazetën “Zëri Popullit” me reportazhin: “Me shqipet e malit në Mirditë”.

Është ndër gazetarët e parë në Veri të Shqipërisë, si bashkëpunëtor i gazetave; “Zëri i Popullit”, “Mësuesi”, “Zëri i Rinisë”, “Sporti Popullor”, për të vijuar më pas me gazetarinë profesioniste në gazetën “Bashkimi”, si redaktor dhe korrespondent i kësaj gazete në rrethet; Mirditë, Tropojë, Kukës, Lezhë duke lëvruar me sukses plot gjini dhe rubrika të ndryshme publicistike.

Krahas shkrimeve informative me tematika të larmishme ekonomike, shoqërore, kulturore, sportive, arsimore etj, praktikoi dhe zhvilloi me sukses reportazhin, përshkrimin, fejtonin, pamfletin etj.

Sukseset e tij në gazetari dhe publicistikë jua dedikonte mësueseve dhe profesorëve të tij, edukimit pedagogjikas në “Shejnaze Juka” dhe ILP dhe sidomos miqve të tij të hershëm; Hamit Boriçi, Besnik Dizdari, Sadije Agolli, Timo Luto e Agron Çobani, për të cilët ruante mbresa, kujtime dhe mirënjohje të madhe për ndikimin e tyre në formimin dhe afirmimin e tij si gazetar profesionist dhe më vonë si publicist dhe shkrimtar.

Në 35-vjetorin e shtypit popullor vlerësohet me çmimin e parë në shkallë republike me përshkrimin: “Mira” (Mjekja e parë tropojane nga Zogajt). Është dekoruar me medajlen; “Naim Frashëri” dhe urdhërin “Naim Frashëri i klasit të dytë”, si dhe me Çertifikatë Mirënjohje me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në përgatitjen e brezave në publicistikë dhe krijimtari letrare” dhënë nga “Klubi Kulturor Mirdita”, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare.

Atëhere kur filloi të spikaste pësoi një goditje tinzare, në vazhdën e goditjeve që u ndërmorën pas Pleniumit të V-të, të Komitetit Qëndror “Për rininë, letërsinë dhe artet” dhe dërgohet në Mirditë, si mësues. Fillimisht në Prosek në vitet ‘78-90 dhe më pas në Përlat në ‘91-92, ku në vend të lëndëve të Gjuhë-Letërsisë i jepen për të dhënë: Edukim Fizik dhe Marksizëm. E administroi shpejt mësimdhënien në Prosek, ku spikati jo vetëm si mësues por edhe si organizator i shkëlqyer i aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive.

Ka drejtuar për disa kohë ekipin e volejbollit “Minatori” të Rrëshenit. Gjatë kësaj periudhe pena e tij s’reshti kurrë së shkruari. Shkruante në gazetën e tij të dashur “Bashkimi”, tani jo më si gazetar në redaksi, por si korrespondent i saj nga Mirdita. Ndërkohë shkruante edhe për gazetat “Mësuesi” dhe “Sporti Popullor”. Kur hekurudha po zgjatej drejt e përtej Rrëshenit, i’u bashkangjit; Preç Zogajt, Sokol Jakovës e Lazër Stanit dhe bashkëpunoi me ta për nxjerrjen e gazetës “Vullnetari”. Që prej vitit 1993 e në vijim ka banuar në qytetin e Lezhës.

Për afro gjashtë dekada ka dhënë një kontribut të çmuar në shtypin e shkruar shqiptar. Ndër vite ka qenë gazetar në organe të ndryshme të shtypit qendror dhe lokal. Është fitues i disa çmimeve të para në rang kombëtar në publicistikë. Ka kontribuar në mbarëvajtjen e mediave lokale, redaktimin dhe përcjelljen e shumë librave të autorëve të ndryshëm krijues Lezhjan.

Së fundmi spikati me krijimtarinë e tij në gjini të ndryshme të letërsisë. Ka botuar romanet: “…dhe Valmori e Uraka kallzojnë” (roman eseistik 2004), “Pëllumbat e bardhë” (2009), “Oxhaku i përflakur” (2012), si dhe monografitë: “Dhe një yll i’u shtua qiellit” (2009), “Vukajt e Th’kellës Epër” (2017), “Kohë e shkruar në mendje” (2018), si dhe ka lënë gati për botim romanet; “Dhe vdekja zgjedh” (kushtuar djalit të tij të vetëm Aleksandrit, mjekut që e përpiu deti në moshën 40-vjeçare në misionin e tij humanitar duke i ardhur në ndihmë Gramoz Pashkos), si dhe “Ne pedagogjikasit”, “Më e madhja, ime nënë”, “Qershiza”, “Unë dhe Bashkimi” etj.

Pavarësisht faktit se ka qenë fitues i disa çmimeve kombëtare në publicistikë, për së gjalli pas viteve 90-të, mbeti i harruari i pushteteve dhe pushtetarëve dhe i pa vlerësuar me ndonjë çmim apo pension të veçantë, të cilin e ka merituar plotësisht. Këtë harresë ai e “theu” me krijimtarinë e tij të vazhdueshme ndër vite, deri në frymën e fundit të jetës së tij.

E përjetova me lot dhe pikëllim të thellë lajmin e ndarjes së tij nga kjo botë. Një ikje pa kthim që na piklloi të gjithëve. Prej mëse tre dekadash së bashku me Profesorin ishim pothuajse një dhe plotësonim njëri-tjetrin, ku padyshim ai ishe ma i Madhi dhe printe jo vetëm si oroshas, por me fjalë e dije, mendime, këshilla e gjithçka tjetër të cilat mua më kanë shërbyer shumë. Ai ka qenë frymëzimi dhe motivi, optimizmi dhe udhërrëfyesi i gjithçkaje modeste që sëbashku gjatë këtyre viteve pluralizëm kemi mundur të realizojmë në fushën e krijimtarisë letraro-artistike.

Kaloi një jetë të mundimshme dhe u nda prej saj, duke lënë në pikëllim familjarët, miqtë e të afërmit dhe një mal me kujtime, respekte dhe mirënjohje për të gjithë ata që e njohën,

Lamtumirë Profesor Preng Baloj, respekt dhe mirënjohje për gjithçka ke dhënë në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare. Të qoftë dheu i lehtë dhe u prehsh në paqe në jetën e pasosun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat