Kruzhoqet e letrarëve

Kultura

Kruzhoqet e letrarëve

Nga: Hejza Art Më: 4 tetor 2021 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

Ambienti letrar në hapësirat shqiptare përcillet edhe me shumë anomali, për të mos thënë me shumë kontradikta, të cilat flasin për dukurinë e fragmentarizmit në çdo aspekt të indit kombëtar.

Përçarjet absurde jo vetëm në skenën politike, kanë nxjerrë në pah edhe ndjenjën e provincializmit dhe bajraktarizmit, ndaj sot, fatkeqësisht, kjo gjendje ka reflektuar edhe në krijimin e shumë kruzhoqeve letrare, të cilat çuditërisht mbrohen me mure të larta, thjeshtë për t’u bërë ballë “armiqve të jashtëm”.

Një dukuri e këtillë që pothuaj nuk brengos askënd, vetëm e forcon kundërshtimin e bashkimit shpirtëror që është produkti i një gjuhe dhe një kombi.

Këtu në Prishtinë tashmë janë të dukshme këto ndasi, përkatësisht këto kruzhoqe që veprojnë brenda një rrethit të mbyllur.

Gjendje pothuaj identike kemi edhe në Tiranë ku ekzistojnë disa grupe, të cilat i bashkon interesi i disa individëve, të cilët, ngjashëm si në Prishtinë, kanë zgjedhur formulën e musketarëve: një për të gjithë, të gjithë për një.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me kruzhoqet e letrarëve në Maqedoninë e Veriut. Por, për dallim prej letrarëve në Kosovë e Shqipëri, ata në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë edhe në baza partiake.

Katandisja e këtillë nuk çon askund, sidomos jo në zhvillimin e letërsisë, e cila në mungesë të kritikës së mirëfilltë, por edhe neglizhencës institucionale, përfshi edhe Akademitë në Prishtinë e Tiranë, pothuaj është në gjendje kome.

Fusha e botimeve vërtet është bërë një fushë pa pronar dhe më nuk dihet se kush mbjell e kush korrë. Ose të gjithë mbjellin nga dy tri kokrra ose të gjithë korrin nga dy-tri kallinj. Është një anarki e vërtetë dhe s’gjendet kush për ta marrë përgjegjësinë, ndërkaq faji mbetet jetim.

Janë me qindra e qindra individë që duan të bëhen shkrimtarë, janë me qindra e qindra individë që duan të botojnë libra, por nuk i gjen as dhjetë veta që duan të lexojnë. E keqja e gjithë kësaj është se më së paku lexojnë pikërisht ata që duan të bëhen shkrimtarë e të botojnë libra.

Kjo gjendje do të jetë e këtillë derisa te kemi kaq shumë kruzhoqe letrare, të cilat, secila veç e veç, me një logjikë të çoroditur, mendojnë se letërsia shqiptare fillon dhe mbaron me ta.

Tashmë është e qartë thënia popullore: “çka ta bën vetja, s’ta bën askush”...(Hejza)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat