Duhet të rrëmbejmë armët, vëllezër!

Kultura

Duhet të rrëmbejmë armët, vëllezër!

Nga: Zymer Mehani Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 08:44
Kopertina e librit

Prej disa ditësh po frynte një erë e stuhishme, që po vërshëllente e brumbullonte përmbi kodrat dhe malet e Llapit e të Gallapit, që kishin filluar të zbardhëllonin nga dëbora.

Ajo erë me fishkëllima dhe me fërfllëzë po paralajmëronte shtrëngatë.

Atë natë të 23 nëntorit ’97, të gjithë ishin mbyllur brenda dhe kundronin përleshjen e tërbuar të atij moti zemërak.

Atje, në Turanë, në orët e vona të mbrëmjes, në odën e Lirias Arborit, Zahir Pajaziti po bisedonte me bashkëveprimtarët për hapat vendimtarë, që duhet ndërmarrë për luftë të përgjithshme.

—Duhet të rrëmbejmë armët, vëllezër! — tha ai dhe zëri i tij kumboi si kushtrim luftarak. —Vetëm me armë do të fitojmë! Me luftë dhe vetëm me luftë do të vijë liria dhe shpëtimi i këtij populli! Por për të luftuar, na duhen, në rend të parë armë, dhe në rend të dytë, ne duhet të përjashtojmë nga radhët tona ata që tentojnë të na largojnë nga kjo luftë, ata që duan të na vënë në gjumë... sepse lumenjtë e mëdhenj për të qenë të pastër dhe të qetë gjatë rrjedhës së tyre, ata lypset të përplasen në fillim me rrapëllimë me shkëmbinjtë e të bien rrëmbimthi nga shkrepat, duke lënë nëpër gjiret e turbullta e të shkumosura baltën dhe lymin, që i marrin me vete qysh nga burimet e tyre.

Ne i kemi hyrë tani kësaj valleje dhe do ta çojmë deri në fund.

Tani s’është më si më parë.

Durimi është sosur. S’ka më durim. Duhet të jemi realistë. Po s’ndërruam strategji, do t’i humbasim të gjitha. Me rrugë paqësore s’bëjmë gjë fare.

Këtu, në këto hapësira kalova vitet e rinisë sime, madje më të bukurat. Po tani po shoh se po rritet një brez i ri, që s’pajtohet me durim. Njerëzit janë lodhur, prandaj duan veprim, —tha ai.

Vështrimi i tij endej larg.

Front Llapi, rreth të tridhjetave, i rrahur nga shtrëngatat e moteve, me ata sy vigjilentë, të mprehtë e të mendueshëm nën ballin e bardhë prej një atdhetari po e shikonte Komandantin. Edhe ai po e sodiste Frontin dhe sërish e kapi fillin e bisedës:

—Tjetër rrugë s’na ka mbetur. Duhet patjetër të rrokim armët. Ky është kushti i vetëm, që po ta plotësojmë, fitorja gjithsesi do të jetë jona!...

Ia njoh shpirtin okupatorit deri thellë në brendësi. Me të duhet t’i hapim sytë mirë. Ai e kupton vetëm gjuhën e pushkës... e ne me atë gjuhë do t’i flasim.

Dihet se gjatë historisë gjithmonë konfliktet e vogla kanë qenë paralajmërueset e vërteta të çdo lufte. Ato fillojnë të lindin si ato rrapëllimat e mbytura të gjëmimit të largët në qiell të trazuar. Një gjë e tillë po ndodh edhe me ne.

Populli ynë thotë se zullumi këputet prej së trashi, dhe vërtet ashtu është...

Për këtë vend kemi sakrifikuar mjaft. S’është e drejtë ta humbasim... —tha Zahiri. —Shkurt, kryesorja tani është përgatitja për luftë, ose me fjalë të tjera, gjithçka për luftën... —e përfundoi ai fjalën e tij.

Fronti po dëgjonte fjalët e trimit. Ai e admironte karakterin e tij dhe fytyra e Zahirit tregonte përqëndrim në aktivitet, vullnet e rreptësi.

Ai e njihte Zahirin si fytyrë dhe tani e solli rasti t’ia dëgjonte edhe zërin...

***

Po i kujtohej Front Llapit takimi i një nate më parë dhe përpiqej ta rikujtonte fjalimin e komandantit Zahir Pajaziti, duke përjetuar sërish emocione nga fjala e tij dhe duke bërë vlerësimin e mundësive për veprim.

Atij ende po i tingëllonin në veshë fjalët e Komandantit:

—Vëllezër, lufta çlirimtare veç sa s’ka filluar, prandaj s’do të ketë forcë që do të mund ta ndalojë... Ajo do të jetë e fuqishme porsi uragani dhe e furishme si zjarri...

Zahir Pajaziti gëzonte respektin dhe admirohej prej të gjithëve.

Gjatë diskutimeve të tij, tek e merrte fjalën, i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë që mbante mbi supe, pa iu dorëzuar kurrë tundimit, as ndjenjave personale, duke e peshuar mirë e me kujdes çdo mendim e fjalë, ai përpiqej të ishte sa më i drejtpërdrejtë dhe sa më i kuptueshëm.

Falë gjykimit të tij të shëndoshë e të natyrës së tij të paepur, ai arriti me kohë të ngjallte respekt te të tjerët.

Pas takimit me Zahirin, që për fat të keq do të ishte edhe i fundit, Front Llapi tani po mendonte më ndryshe për fatet e atdheut. Ai tani po e kuptonte se më mirë është të vritesh për liri sesa të jetosh në robëri.

Ende pa filluar veprimet e vërteta luftarake, grupe të armatosura shqiptarësh shfaqeshin njëkohësisht në vende të ndryshme të Kosovës.

Për forcat policore e ushtarake serbe që kishin ushtruar dhunë mbi ne, po binte ora e shpagimit.

Tani nuk shtrohej më çështja nëse do të kishte luftë, apo jo, ngase ajo tanimë kishte filluar dhe kushtrimi për t’i dalur zot atdheut gjëmonte ngado ku kishte shqiptarë.

Gazetat shkruanin:

“Në Llap.... pranë... sulmuan stacionin policor..... të gjitha veturat e policisë u bënë shkrumb e hi”.

Po këtë fat e patën edhe stacionet policore dhe postblloqet e policisë e të ushtrisë serbe edhe në Rrafsh të Dukagjinit, në Drenicë, në Anamoravë e gjetiu.

Artikuj të tillë përmbanin të gjitha gazetat, por qytetarët s’kishin kohë të merreshin gjatë me leximin e tyre, që u dilnin para sysh dy-tri ditë me radhë, me shkronja të mëdha.

Ngjarjet me më rëndësi tërhiqnin vëmendjen tonë.

Këto janë fakte të thjeshta historike, që po i japim si ilustrim të ngjarjeve që i paraprinë luftës sonë kundër forcave okupuese serbe.

Veprimet tona s’qenë gjë tjetër veçse akte hakmarrjeje, shpërthime të zemërimit të mbledhur prej kohësh, si përgjigje për padrejtësitë e torturat që kishim hequr mbi shpatulla për shumë vjet me radhë...

Shkëndija ndillte shkëndinë, gjersa më në fund anembanë vendin e mbuluan flakët e luftës çlirimtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat