Jemi në qorrsokakun e vlerave të munguara

Kultura

Jemi në qorrsokakun e vlerave të munguara

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 11:45
Zaim Elezin

Zaim Elezi, një nga piktorët tanë më të dalluar, studioi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Elezi mori pjesë në realizimin e filmit “Zambakët e bardhë”, në të cilin film ishte drejtor artistik dhe kostumograf. Po kështu ishte edhe piktor filmi në filmin artistik “Ne dhe Lenini”. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombëtare. Veprat e tij janë ekspozuar në Francë, Zvicër, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Itali, Kosovë etj.

HEJZA: Ngjyra të tollovitura në pëlhurë, pak dritë, pak hije! Është ky stacioni i fundit i pikturimit modern?

ELEZI: Arti është mision dhe jo tregti. Fatkeqësisht, në jetën tonë edhe në art gëlojne plot matrapaz, te cilët na kanë dëmtuar dukshëm cilësinë e jetës. Sa kohe që mungon një institucion rangimi vlerash, tollovia në telajo do mbushë edhe shtëpitë dhe jetët tona. Pyetja juaj, besoj, se këtë kategori nënkuptonte.

HEJZA: Çdo stil në art ka filozofinë dhe epokën e vet të emërtuar! Në ç’epoka mund ta kërkojmë artin e sotshëm konteporan! Çka po pikturohet sot në botë? Çfarë piktura po pëlqehen e çfarë po ekspozohen?

ELEZI: Te gjitha rrymat artistike kanë lindur si nevojë për risi dhe gjetje të reja, si përpjekje për të lënë gjurme krijuese në artin pamor. Kanë ardhur në jetë si nevoja shprehëse në sinkron të zhvillimeve shumë të shpejta të shoqërisë dhe ritmeve të modernizimit të saj. Sot që flasim, jetojmë epokën e Hitech-ut.

Arti i djeshëm, i para 1900, pothuaj është e pamundur të sillet në vëmendjen e shoqërisë, pasi zhvillimi i hovshëm i saj, ka kthyer vëmendjen nga konsumi, ndaj jemi në tollovinë e çmimeve dhe snobizmit, në qorrsokakun e vlerave të munguara.

Realisht ajo që po shitet, duhet dy faktor të mos e kuptojnë tablonë, autori dhe blerësi dhe të dy të ndjehen si përpara kryeveprës më të madhe të kohës. Jemi në kohën e tablosë pa subjekt.

HEJZA: A kemi shkollë autoktone të artit pamor, jo vetëm si disiplinë akademike! A kemi artistë të mëdhenj për të cilët duhet të investojë shoqëria jonë? Sa investojmë ne për të nxjerrë sot një Zef Kolombi, Kolë Idromeno, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Omer Kaleshi, Ismet Jonuzi etj.

ELEZI: Shkollë autoktone të artit pamor, është utopi të kërkosh, pothuajse e pamundur të krijohet. Ne jemi një komb i vogël me talente jo të vegjël, për të mos thënë të mëdha. Nuk mund të ndodh kurrë, edhe nëse do kishim gjeni ne artin pamor, të krijonim shkollë, kjo është pasojë e investimeve të mëdha, e kombeve të mëdha, ato e zotërojnë identitetin e jo kombet e vegjël.

Në realitetin shqiptar ka plot artistë jo të vegjël, por që i përkasin një kombi të vogël dhe një popullsie, qartësisht të prapambetur, të pazhvilluar, krejt kjo nga politika tmerrësisht mediokre që qeverisë në trojet tona.

Emra “të mëdhenj” qarkullojnë plot, por jo ata që do duhej të ishin. Ata janë në hije, në vetmi dhe në skamje, të papërkrahur dhe të pambështetur, e për pasojë të panjohur. Politika investon vetëm për shërbëtorët e saj.

HEJZA: Ekspozitat sezonale të punimeve artistike a do të ndikonin në krijimin e një tradite për blerjen e këtyre veprave nga shkollat tona, nga dikasteret qeveritare, nga ndërmarrjet tona, nga kazermat, nga institucionet nacionale, nga individë-koleksionistë të ndryshëm!

ELEZI: Nuk mendoj se ekspozitat kane impakt në treg, përjashtuar raste sporadike që nuk përbëjnë rrugë, nuk mund të merren si rrugë për tregun. Më sipër përmenda se niveli mediokër i politikës dhe qeveritarëve përcakton edhe nivelin mediokër të veprave për t’u blerë. Fatkeqësisht, politika ka uzurpuar deri në qelizë jetën e popullit tonë. Koleksionistët janë në nivel politikanësh, të pa kulturë artistike dhe ndjeshmëri vlerash, janë viktime e padijes dhe koleksionet e tyre nuk e kalojnë nivelin e tyre.

HEJZA: Pse një piktor produktiv shqiptar që jeton jashtë atdheut mund të jetë me famë botërore, kurse në vendin e origjinës së vet mund të njihet nga tre-katër persona të të njëjtës fushë! I ka fajet “atdheu” apo piktura!

ELEZI: Piktorët shqiptarë që ju përmendni se njihen jashtë, nuk mendoj se është kështu, i njohim ne më shume se vendet ku ata jetojnë, nuk mendoj se janë të njohur, aq më shumë të mëdhenj. Nëpërmjet kanalesh informale ata bëjnë ç’është e mundur të mbërrijnë këtu, në atdhe, si emra të mëdhenj.

HEJZA: Po të ishit pushtet, cili do të ishte raporti i juaj ndaj kulturës e, në veçanti, ndaj artit figurativ! Shqiptarët tashmë kanë provuar të drejtohen edhe prej persona nga sfera e artit figurativ por edhe nga letërsia. Çka i dhanë nga kultura pushtetit e çka nga pushteti kulturës?

ELEZI: Shprehja “po të ishit ju në pushtet” tek unë nuk ka përdorim, është jashtë formimit tim. Ajo që mund të them është se ambicia për pushtet nuk mund të jetë kurrë tek një artist. Në rastet kur ekziston, ata nuk mund te akuzohen për artistë, por vetëm për politikanë. Të qenët artist kur mbërrijnë në pushtet, ju shërbejnë thjeshtë për makiazh, për të mbuluar vrazhdësinë dhe mediokritetin, për t’u shitur ndryshe nga ç’janë. Rezultatet kur ato kanë frenat e pushtetit, fatkeqësisht janë plotësisht negative. Ata urrejnë me gjithë shpirt artistët, ngaqë edhe përkundër përpjekjeve, nuk ia dolën të bëhen artistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat